Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, e ka shprehur zhgënjimin e thellë pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
Italia është mposhtur nga Bosnë – Hercegovina pas penalltive në kuadër të “play off” për Botërorin 2026.
“Nuk munda të flija gjithë natën, ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi. Po flasim për një ekip katër herë kampion bote, kjo është një tragjedi sportive, një turp. Është një nga gjërat më të këqija që i kanë ndodhur futbollit italian në historinë e tij”, ka thënë Capello.
Ish-trajneri nuk ka kursyer kritikat ndaj presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, duke thënë se askush nuk po merr përgjegjësinë e duhur: “Personi i parë që duhet të përgjigjet është presidenti i federatës, së bashku me të gjithë menaxhmentin. Duhet të sjellim ekspertë, të analizojmë çfarë po ndodh dhe të fillojmë rindërtimin nga baza. Problemi nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet, është strukturor”, ka thënë ai.
Capello ka paralajmëruar se rikuperimi nga kjo situatë do të jetë i vështirë, por optimist se mund të krijojë një ripërtëritje të vërtetë: “Italia duhet të rishpikë veten. Italia është në zi. Për një komb futbolli si ky, përjashtimi për herë të tretë është diçka shumë e vështirë për t’u tretur”, ka thënë ai

