Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor jashtë detyrës, i dyshuar për “lëndim të rëndë trupor” pas një incidenti në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti fillimisht ishte raportuar si rrahje në progres mes disa personave, ku dyshohej se ishte i përfshirë edhe polici.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident në Prishtinë pas mesnatës ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Incidenti fillimisht ishte raportuar në Polici si rrahje në progres në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë në mes disa personave e ku dyshohej se në këtë rast është përshirë edhe zyrtari policor. Pas pranimit të informacioneve hetuesit e Inspektoratit Policor i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
IPK ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të tij dhe ka paralajmëruar veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

