Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj i ka dalë në mbrojtje kapitenit të Kosovës, Vedat Muriqit, pas sulmeve që i mori nga tifozët, pas humbjes nga Turqia mbrëmë.
Limaj i kërkoi Muriqit të vazhdojë me kokën lart dhe mos t’i dëgjojë zërat që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij vendi.
Reagimi i plotë i Limajt:
Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka “berllogun” e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut. Kështu kanë shpifur e etiketuar edhe për UÇK-në gjatë luftës dhe vazhdojnë edhe sot.
Ata, kur shpifin, nisen nga vetja e tyre, sepse nuk e kanë brumin për t’i shërbyer atdheut e për të qenë krenarë me zemër. Janë thjesht zëra që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij vendi.
Mirënjohje për ty dhe ekipin, për emocionin dhe dashurinë që po ua transmetoni fëmijëve tanë për fanellën dhe shtetin. Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju!

