Tërmetet brenda NATO-s dhe komoditeti ynë i budallëm

by Nexhat

Trump paska deklaruar se po shqyrton mundësinë e daljes së SHBA-së nga NATO. Kjo deklaratë vjen si pasojë e mosmarrëveshjes së thellë midis SHBA-së dhe shteteve europiane rreth luftës me Iranin. Fuqitë kryesore europiane të NATO-s jo vetëm që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre në këtë luftë, por shpesh edhe kanë refuzuar që bazat e tyre të vihen në dispozicion të avionëve amerikanë.

Shkruan: Blerim Latifi

banner

Ne jemi mësuar ta shohim NATO-n si një aleancë unitare ushtarake, por historia e saj flet ndryshe. Në disa raste kjo aleancë ka kaluar nëpër përçarje të thella, të cilat kanë çuar gati në paralizë të saj.

Rasti më i hershëm është ajo që njihet si Kriza e Kanalit të Suezit, e vitit 1956, vetëm 7 vite pas themelimit të NATO-s.

Kur presidenti egjiptian Gamal Abdel Naser shtetëzoi Kanalin e Suezit, Britania e Madhe dhe Franca ndërhynë ushtarakisht kundër Egjiptit pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni e kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen, dhe kjo situatë eskaloi në një përçarje të madhe brenda NATO-s. Sikur të mos ishte kërcënimi sovjetik në horizont, mbase NATO-ja do të kishte marrë fund qysh atëherë.

Dhjetë vite më vonë, një sherr tjetër i madh do të përçante aleancën. Edhe kësaj radhe protagonist i përçarjes do të ishte Franca.

Në një vendim të befasishëm, presidenti i atëhershëm francez Sharl de Gol do të largonte Francën nga ajo që njihet si “struktura e integruar ushtarake e NATO-s”. Ky vendim në Francë u justifikua me kërkesën që Franca të kishte pavarësinë e saj nga ndikimi amerikan në aleancë.

Edhe pse Franca ishte çliruar nga pushtimi nazist me ndihmën e ushtrive amerikane (zbarkimi në Normandi), vitet e pasluftës në Francë do të karakterizoheshin nga një klimë shumë e fuqishme antiamerikane, dhe De Goli, aleati historik i amerikanëve, do të binte nën ndikimin e kësaj klime. Dalja e Francës nga komanda ushtarake e NATO-s u pasua nga një përçarje e madhe brenda saj.

Kriza tjetër do të vinte në fillim të vitit 1983.

Pas vdekjes së Leonid Brezhnjevit, Bashkimi Sovjetik, në një akt demonstrimi të forcës së tij, ndërmori vendosjen e raketave bërthamore me rreze të mesme në vendet komuniste të Evropës Lindore që ishin nën tutelën sovjetike. Amerikanët, nën presidencën e Ronald Reagan, do të kundërpërgjigjeshin duke pozicionuar raketa bërthamore në Gjermani, Itali dhe Britani. Një valë e madhe protestash që shpërtheu në Evropën Perëndimore do të reflektohej thellë në unitetin e NATO-s.

Rënia e Bashkimit Sovjetik do të pasohej nga një debat i madh brenda anëtarëve të NATO-s mbi arsyen e ekzistencës së saj pas zhdukjes së armikut, i cili kishte qenë shkaku themelor i krijimit të saj. Por ky debat nuk solli asnjë rezultat praktik dhe në vitet ’90 NATO u shfaq e bashkuar në shumë ngjarje. Ajo miratoi planin e zgjerimit me vendet e ish-bllokut komunist në Evropën Lindore, mori pjesë në Luftën e Gjirit kundër Irakut të Sadam Huseinit, ndërhyri në luftën e Bosnjës (edhe pse me vonesë) dhe në vitin 1999 intervenoi kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit për të ndaluar fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Kështu NATO po e mbyllte shekullin 20 si një aleancë ushtarake unike.

Në vitin 2001 NATO sërish do të shfaqej e bashkuar rreth SHBA-së në sulmin kundër Afganistanit të talibanëve, por dy vite më vonë, ajo do të përçahej thellë kur SHBA-të pushtuan Irakun e Sadamit. Franca dhe Gjermania dolën hapur dhe fuqishëm kundër këtij pushtimi.

Në vitet në vazhdim ka pasur edhe tensione të tjera serioze mes aleatëve, si tensioni midis SHBA-së dhe Turqisë, kur kjo e fundit vendosi të blinte një sistem të mbrojtjes ajrore nga Rusia.

Me ardhjen e Donald Trump në pushtet, filloi një seri e re mosmarrëveshjesh mes Uashingtonit dhe anëtarëve europianë të aleancës. Këto njihen si mosmarrëveshjet për barrën financiare të mirëmbajtjes së NATO-s. Trump akuzonte europianët se nuk po paguajnë sa duhet dhe se Amerika nuk do të vazhdonte të paguante për sigurinë e tyre, gjë që kishte bërë që nga ditët e zbarkimit në brigjet e Normandisë në Francë.

Kriza e fundit e unitetit të NATO-s lidhet me Luftën me Iranin.

Kundërshtimi europian për t’u bashkuar Amerikës në luftë shkaktoi reagime të forta në Uashington, dhe në mesin e tyre më i fundit është kërcënimi i Trump se po shqyrton mundësinë e largimit të SHBA-së nga NATO, e cila, sipas tij, pa SHBA-në nuk mbetet asgjë tjetër përveç një tigri prej letre.

Nëse këto kërcënime bëhen realitet, gjëja e parë që do të marrë fund është siguria dhe paqja në Evropë. Kjo do të jetë shansi më i madh historik i Rusisë për të zbatuar planin e saj të kahershëm për destabilizimin e Evropës, nga i cili pret të përfitojë një rol të ri hegjemonist në sferën e dikurshme sovjetike.

Pra, nga të gjitha krizat e përçarjes nëpër të cilat ka kaluar NATO, kjo e fundit bartë rrezikun më të madh për shpërbërjen e saj.

Evropa ndodhet përpara rrezikut të një kaosi të madh, të cilin, në mungesë të Amerikës, nuk do të jetë në gjendje ta përballojë me sukses. Arsyet dihen.

Ndërkohë, ne nuk kemi asnjë ide minimale se si duhet të veprojmë përballë këtij rreziku. Sepse nuk kemi kohë për ta menduar këtë punë. Sepse gjithë kohën dhe energjinë e kemi përqendruar në punësimin e  dikujt në postin e presidentit të Kosovës, dhe nëse nuk ia dalim, do të shkojmë në zgjedhje të reja, nga të cilat nuk pritet të dalë ndonjë zgjidhje që do t’i jepte fund rrethit vicioz politik në të cilin jemi bllokuar tash e sa kohë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy