Qeveria e Shqipërisë ka vendosur sot të ulë me 20% akcizën e karburanteve, pak orë para mbledhjes së Bordit të Transparencës, ku pritet të rritet çmimi i naftës në treg.
Në një deklaratë për mediat, ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se akti normativ për uljen e akcizës do të jetë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“Siç ka premtuar Kryeministri Rama, qeveria ndërmori sot një masë konkrete për të amortizuar efektet e prodhuara nga konflikti në Iran, duke reaguar ndaj rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në 48 orët e fundit,” tha Malaj.
Sipas aktit normativ, akciza do të ulet me 20% në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, tejkalon:
220 lekë për litër për naftën;
200 lekë për litër për benzinën.
Ministri theksoi se ulja e akcizës do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare dhe shtoi
“Jemi të angazhuar plotësisht për t’u përgjigjur me përgjegjësi çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të këtij konflikti, por edhe duke mbrojtur buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në këtë moment kritik që po përballet bota sot.”, ka thënë ai./TCh

