Një person, R.K 44 vjeçar, ka vdekur sot në QKUK ku po trajtohej nga lëndimet e marra në vendin e punës.
Viktima, kishte rënë nga një lartësi nga një ndërtesë, ku dyshohet se aty ai ishte duke punuar.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ky i fundit, ka shtuar se, prokurori ka vendosur për vazhdimin e hetimeve me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe shkaktarëve të vdekjes.
Njoftimi:
Me datën 28.03.2026, rreth orës 13:40, policia kiahte pranuar një informatë se në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, një person kishte rënë nga një lartësi (kati i parë) i një ndërtese.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur një person të shtrirë në tokë me lëndime të rënda trupore.
Menjëherë është njoftuar Emergjenca, e cila e ka transportuar të lënduarin për trajtim në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa më pas ai është transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.
Personi i lënduar, R.K. (rreth 44 vjeç), dyshohet se ishte duke punuar në objektin ku ka ndodhur rasti.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe inspektorët e punës, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Lidhur me rastin është intervistuar përgjegjësi i punimeve F.S. (46 vjeç), i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Me datën 03.04.2026, policia ka pranuar informatë shtesë se i lënduari R.K. ka ndërruar jetë në QKUK – Prishtinë si pasojë e lëndimeve të marra.
Është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka autorizuar Sektorin e Hetimeve Rajonale në Ferizaj për vazhdimin e hetimeve me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe shkaktarëve të vdekjes.
Rasti është cilësuar si:
“Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.”

