Atmosferë e rënduar dhe heshtje në rikthimin e kombëtares italiane në shtëpi. Pas disfatës në Zenicë, skuadra e drejtuar nga Gennaro Gattuso është kthyer në Itali mes tensionit dhe kritikave të forta.
Në fokus të vëmendjes ka qenë Alessandro Bastoni. Mbrojtësi i Inter është vënë në qendër të polemikave për ndërhyrjen e ashpër që solli karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjës, një episod që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final.
Për Bastonin, ky është kulmi i një periudhe të vështirë. Kritikat e vazhdueshme në javët e fundit duket se kanë ndikuar edhe në performancën e tij në fushë, ku është shfaqur i pasigurt dhe i brishtë psikologjikisht. Zgjedhjet taktike të Gattusos, duke e aktivizuar jashtë pozicionit dhe jo në formën më të mirë, kanë shtuar vështirësitë.
Tashmë, mbrojtësi rikthehet te Interi me synimin për të lënë pas këtë moment të vështirë. Sfida ndaj Roma shihet si mundësia ideale për reagim, në një fazë vendimtare të sezonit ku zikaltërit synojnë titullin.
Ndërkohë, mbi të ardhmen e Bastonit qëndron një pikëpyetje e madhe. Interesimi i Barcelona mbetet konkret dhe një transferim i mundshëm në verë nuk përjashtohet, nëse mbërrin oferta e duhur
Por problemet për Interin nuk ndalen këtu. Përballë Romës, trajneri do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat në mbrojtje. Carlos Augusto është i pezulluar, ndërsa Yann Bisseck ka pësuar një dëmtim muskulor dhe mbetet në dyshim të forte për supersfidën e së dielës në mbrëmje në “San Siro”.
Kështu, Interi përgatitet për një sfidë delikate, mes presionit, mungesave dhe nevojës për reagim në fushë

