Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në një intervistë me kanalin izraelit ‘Channel 12’, deklaroi se nuk do të “largohet në mes të një lufte” dhe shtoi se administrata e tij është në “negociata intensive” me Iranin për të arritur një armëpushim.
Ai tha se të dërguarit e tij kryesorë në Lindjen e Mesme, si Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë përgjegjës për kontaktet e vazhdueshme me Iranin.
Dy burime të informuara mbi bisedimet i thanë kanalit televiziv se ekzistojnë dy kanale komunikimi; njëri nëpërmjet ndërmjetësimit të Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, dhe tjetri nëpërmjet mesazheve të drejtpërdrejta me tekst midis Witkoff, Kushner dhe Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Ministrat e jashtëm të vendeve të përfshira në ndërmjetësim po përpiqen të bindin palët të bien dakord për një sërë masash që do t’i lejonin Trump të zgjaste afatin e tij.
Sipas burimeve, ministrat zhvilluan biseda telefonike me Kushner dhe Witkoff dje, por këto nuk dhanë rezultatet e dëshiruara.
Trump i tha Channel 12 se beson se ka “një shans të mirë” që të arrihet një marrëveshje para afatit të së martës, “por nëse nuk arrijnë një marrëveshje, unë do ta shkatërroj gjithçka atje”.
I pyetur nëse është i shqetësuar për rrezikun e dëmtimit të civilëve në Iran, të cilët ai dëshiron t’i nxisë të përmbysin regjimin, Trump përgjigjet se ata “jetojnë me frikë”, ka transmetuar Panorama.
“Ata kanë frikë se do të largohemi në mes të luftës, por nuk do të largohemi”, tha ai.

