Dërgimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë përbën një hap strategjik dhe dëshmi se Kosova po shndërrohet nga konsumator në ofrues të sigurisë, tha drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli,
Vrajolli në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se ky angazhim është edhe një formë e kthimit të kontributit ndaj partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Po, kjo do të thotë që Kosova në njëfarë forme është pjekë si shoqëri. Kosova ka arrit me u transformu prej një konsumatori të sigurisë në një ofrues të sigurisë, që mendoj që kjo duhet të vlerësohet jashtëzakonisht shumë. Mendoj që po ashtu është një hap strategjik për shkak se ne duhet të shpërblejmë të gjithë atë kontribut që bashkësia ndërkombëtare ka dhënë për Kosovën, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që në këtë rast mendoj që është po ashtu një kontribut në kthim për atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për neve, dhe mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë. Po ashtu është një mundësi e mirë për Kosovën që të jetë kontribuese e paqe ndërtimit nëpër botë. Siç dihet në rripin e Gazës ka pasur një konflikt jashtëzakonisht të vështirë edhe mendoj që ai rajon meriton paqe. Po shpresojmë që kjo iniciativë do të sjellë paqe që është pritur për një kohë të gjatë dhe që ai vend, mos të jetë arenë e konflikteve”, tha ai.
Ai shtoi se roli konkret i FSK-së në këtë mision do të përcaktohet më vonë, por çdo kontribut konsiderohet i rëndësishëm.
“Mendoj që kjo do të përcaktohet ndërkohë. Mendoj që është herët të flitet për këtë hap. Çfarëdo që të jetë kontributi i FSK-së, do të jetë në njëfarë forme mbulimi i një nga zinxhirëve që nevojitet për të funksionuar ky mision atje, edhe besoj që çdo kontribut që bëhet në këtë drejtim është i barasvlefshëm me kontribute qoftë ato që janë në vijë të parë të ekspozimit qoftë edhe ato logjistike. Mendoj që janë të domosdoshme edhe në çfarëdo kapaciteti që FSK-ja është e përfshirë, mendoj që i kontribuon këtij misioni edhe i kontribuon ndërtimit të paqes atje”, tha ai.
Vrajolli foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtet kyç për anëtarësim në NATO. U pa edhe me rastin e anëtarësimit të Suedisë, sidomos kur kishte një bllokadë nga ana e Turqisë dhe kjo bllokadë u tejkalua pikërisht përmes intervenimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe në këtë rast, në çështjen e pesë mosnjohësve(shtet që nuk e njohin Kosovës), mendoj që të gjitha këto katër mosnjohëse që janë në NATO janë të rreshtuara përkrah interesave të shteteve perëndimore dhe mendoj që një presion nga një shtet kyç siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presion i mirëfilltë, jo presion që në njëfarë forme t’i thej parimet po t’i kthej këto shtete në bazën parimore, mund të ndikojë që ato të mos e bllokojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO apo edhe të bëjnë hap tutje që ta njohin Kosovën”, tha ai.
Ai vlerësoi se FSK-ja ka bërë përparim të dukshëm dhe është e gatshme për operacione ndërkombëtare.
“FSK-ja është duke bërë zhvillim të shpejtë, është investuar jashtëzakonisht shumë. Është një investim më i përshpejtuar viteve të fundit sesa që ka qenë më herët. Kjo ndërlidhet me faktin që më herët FSK-ja nuk ka qenë e transformuar, ndërkohë edhe po ashtu kërcënimet, rreziqet janë ndryshuar. Mendoj që disa nga limitimet të cilat kanë qenë në fillim pak a shumë në vitin 2018-të janë hequr edhe për faktin që është parë e domosdoshme që FSK-ja të ketë kapacitete për mbrojtje që i tejkalojnë kapacitetet defanzive. Kështu që mendoj që FSK-ja është zhvilluar mirë. Në 2028 pritet që të përfundojë ky, afati që është i paraparë për konsolidimin e plotë të FSK-së, por në shumë çështje mendoj që FSK-ja është mbase edhe para kohe, sa i përket arritjes të këtyre kapaciteteve. Mendoj që FSK-ja ka qenë e gatshme edhe më herët që të jetë pjesë e operacioneve më komplekse, kështu që mendoj që është e gatshme të kontribuojë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.
Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur më herët se propozimvendimi për këtë çështje ishte përcjellë në Qeveri më 3 mars

