Fatmir Mediu foli në lidhje me procesin për Gërdecin, ku tha se urdhri i dhënë prej tij në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes nuk ishte një urdhër për demontimin e armatimeve, por vetëm për kalimin e tyre nga Forcat e Armatosura drejt kompanisë.
Sipas Mediut, nëse kompania do të kishte zbatuar me përpikmëri pikat e kontratës, nuk do të kishte një shpërthim në Gërdec që çoi në humbje jetës.
“Urdhrat e ministrit kishin karakter individual administrativ dhe një urdhër ministri nuk është bërë ligj apo VKM.
Nuk ka asnjë boshllëk ligjor për trajtimin e municioneve në Forcat e Armatosura, këtë e konstatuan edhe ekspertët e prokurorisë. Akti i ministrit nuk është urdhër demontimi, kam dhënë urdhër për kalim municionesh nga Ushtria në MEKO.
Kontrata më pas parashikon detajet. Nëse do të ishin zbatuar ato që përfshiheshin në kontratë nuk do të kishte pasur një shpërthim dhe një situatë si ajo që ndodhi”, tha ai.

