Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të martën, paditësja Agbesa Sheqiri-Spahiu, deklaroi se pas disa raporteve profesionale për keqpërdorime në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat i kishte raportuar tek bordi i bankës, ishte ftuar nga guvernatori Ahmet Ismajli dhe ekzamineri përgjegjës Elvin Malaj, ku i ishte kërkuar që të largojë të gjitha shkeljet ligjore dhe konstatimet nga raporti.
Në këtë rast, Sheqiri-Spahiu ka paditur BQK-në, duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin është degraduar- ulur në pozitë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paditësja deklaroi në seancë që pasi kishte refuzuar t’i largonte shkeljet e identifikuara në raport, kishin filluar si hakmarrje sulme të njëpasnjëshme të orkestruara përmes ankesës nga vartësit e saj.
Ndërsa, tha se me kolegen B.J., ka pasur çdoherë raporte të mira, mirëpo pasi B.J., ishte kthyer në zyrë ngase kishte qenë duke punuar në distancë, e njëjta kishte shprehur pakënaqësi lidhur me sistemimin e zyrtares V.T., në zyrën e tyre dhe jo T.D. Paditësja tha se kjo e fundit ishte sistemuar në një vend tjetvr, me vendim të guvernatorit.
Po ashtu, Sheqiri-Spahiu shtoi se gjatë kësaj bisede, zyrtaren B.J., nuk e ka fyer e as ofenduar në asnjë lloj mënyre, duke shtuar se nuk qëndron pretendimi për fyerje ndaj B.J., sepse nuk ka pasur asnjë motiv që ta lëndojë atë.
Në këtë seancë, është dëgjuar edhe dëshmitarja M.L., (zyrtare e lartë e licencimit në BQK) e cila deklaroi se për ngjarjen kishte kuptuar nga B.J., pasi që kishte shkuar në zyrën e saj në gjendje të rënduar emocionale, ku i kishte treguar rreth asaj që kishte ndodhur.
“E kam pyet se çka ka ndodh, me sa e mbaj mend më tha se Agbesa nuk më la gjë pa më thënë, më ka fy, më ka ofendu e madje m’i përmendi edhe serbët, për ty s’ka respekt askush madje të kanë ulur në zyrë me serben”, deklaroi dëshmitarja M.L.
E njëjta tha se këto informacione i ka dëgjuar nga B.J., pasi që nuk ka qenë prezente kur ka ndodhur ngjarja, por shtoi se kishte dëgjuar zhurmë, tone shumë të larta por asgjë më shumë.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares I.K., (zyrtare e lartë e licencimit në BQK) e cila deklaroi se vetëm kishte dëgjuar një zhurmë nga zyra e pensioneve- përkatësisht zyra e tani paditëses Sheqiri-Spahiu por se nuk kishte mundur ta definojë saktë, nëse paditësja ishte duke biseduar me dikënd në telefon apo me dikënd në zyrë, e as atë që thoshte.
Po ashtu, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitarja M.R., (zyrtare e lartë për shqyrtimin e ankesave në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në BQK), e cila tha se nuk ka qenë prezente kur ka ndodhur ngjarja, por e kishte takuar B.J., e cila kishte qenë në gjendje të rënduar emeocionale, ku i kishte treguar dëshmitares se çfarë kishte ndodhur.
“Vazhdimisht ka qajt, edhe më ka thënë se çka nuk më tha Agbesa, më ka ofenduar, më ka bërtitur, më ka thënë ti nuk di asgjë, që 9 vite unë ty të mbaj, në BQK nuk të respekton askush, nuk të don askush, me të pas dasht nuk të kishin lon në zyrë me serben, unë jam ajo që kam ardhë e të ka nxjerr që aty”, ka deklaruar M.R.
Në këtë seancë, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Xhevdet Smakiqi propozooi edhe disa prova të reja, për të cilat përfaqësuesi i palës së paditur BQK, avokati Klit Shala tha se rezervon të drejtën që të deklarohen në seancën e radhës.
Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe ekspertja financiare, Valentina Selimi, e cila tha se të gjitha kalkulimet janë bazuar në listat e pagave dhe mbi bazën e tyre janë përllogaritur të gjitha shtesat, si dhe vlera e shtesës funksionale.
Ndryshe, sipas padisë që mban datën 23 dhjetor 2024, paditësja Agbesa Sheqiri-Spahiu ka ushtruar padi ndaj Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për anulim të vendimit të bordit të BQK-së, rekomandimit të Komisionit të Ankesave, Rekomandimit të Komisionit Disiplinor të BQK-së, për ulje në pozitë/ degradim dhe cenim të marrëdhënies së punës.
Me padi, paditësja ka propozuar që të caktohet masa e përkohshme e sigurisë së kërkesëpadisë.
Sipas padisë, thuhet se Sheqiri-Spahiu ka qenë me pozitë Udhëheqëse e Divizionit për Mbikëqyrje Pensionale të Tregjeve pa ndonjë vërejtje apo vlerësim negativ. Ajo ishte ulur në pozitë- Mbikëqyrëse e lartë brenda Divizionit për Mbikëqyrjen Pensionale dhe Tregjeve.
Më pas, thuhet se Sheqiri-Spahiu i është nënshtruar procedurës disiplinore me pretendimin për gjuhën kërcënuese ndaj palës ankuese B.J., e që më pas Komisioni Disiplinor rekomandoi ulje në pozitë.
Sipas padisë, ndaj këtij rekomandimi paditësja ushtroi të drejtën e ankesës, duke prezantuar fakte dhe prova që nuk qëndron gjendja faktike e konstatuar nga Komisioni Disiplinor, duke propozuar shikimin e kamerave por që Komisioni i Ankesave refuzoi ankesën e Sheqiri-Spahiut.
Aty thuhet se më 29 nëntor 2024, Bordi Ekzekutiv i BQK-së në zbatim të rekomandimit të Komisionit Disiplinor, nxjerr vendim të kundërligjshëm për shkarkim nga pozita e Udhëheqëses së Divizionit për Mbikëqyrje Pensionale të Tregjeve.
Paditësja Sheqiri-Spahiu, sipas padisë, pretendon se BQK-ja ka dështuar të arsyetojë shqiptimin e masës disiplinore dhe se gjendja faktike e konstatuar nuk ka prova.
Prandaj, sipas padisë, Sheqiri-Spahiu thotë se BQK ka shkelur në mënyrë flagrante Ligjin e Punës, duke e ulur në pozitë për një gradë, duke rrezikuar ekzistencën si mbajtëse e familjes.
Andaj, paditësja i ka propozuar Gjykatës që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë, duke anuluar vendimin e Bordit të BQK-së, Rekomandimin e Komisionit të Ankesave dhe atë të Komisionit Disiplinor të BQK-së, duke e detyruar BQK-në që t’ia kompensojë shumën e parave që do ta kishte realizuar në pozitën e Udhëheqëses së Divizionit për Mbikëqyrje Pensionale të Tregjeve.
Po ashtu, ka kërkuar të detyrohet BQK-ja ta kthejë në pozitën e mëparshme të punës apo në një pozitë ekuivalente në çfarëdo ristrukturimi të paditurës.
Kurse, për dëmin jomaterial i ka propozuar Gjykatës që të detyrojë BQK-në t’ia kompensojë shumën prej 50 mijë euro.
Në përgjigje ndaj padisë, BQK-ja më 25 shtator 2025, ka theksuar se pala ankuese B.J., përmes e-mailit kishte raportuar shkeljet disiplinore të Sheqiri-Spahiut dhe pas pranimit të saj, ishte kërkuar nga Departamenti i Burimeve Njerëzore të fillojë procedurën disiplinore bazuar në Kodin e Etikës dhe Politikës në BQK.
Pas kësaj, thuhet se Sheqiri-Spahiu është njoftuar me ankesën, ku është mbajtur seanca dëgjimore dhe janë dëgjuar edhe dëshmitarë që kanë deklaruar për ndodhinë që J., e kishte paraqitur përmes e-mailit.
Më pas, sipas përgjigjes në padi, Komisioni Disiplinor ka rekomanduar uljen në pozitë, ndaj të cilit është ushtuar ankesë por e cila është refuzuar dhe si përfundim Bordi i BQK-së e aprovoi rekomandimin e Komisionit Disiplinor.
Sipas përgjigjes në padi, thuhet se vendimi është i arsyetuar dhe bazuar në ligj dhe se është vërtetuar se paditësja ka kryer shkelje disiplinore. Dhe se meqenëse është konstatuar se Shqiri-Spahiu ka kryer shkelje të rëndë disiplinore, të njëjtës i është shqiptuar masa e uljes nga pozita.
Për dëmet jomateriale, sipas përgjigjes në padi, thuhet se pretendimi është i pabazuar dhe se nuk është rrezikuar mirëqenia e saj pasi që dallimi në paga në krahasim me pozitën e kaluar është vetëm 110 euro.
Sipas dokumentit të titulluar “deklaratë shoqëruese për raportet profesionale”, thuhet motivet kryesore për veprimet ndëshkuese të Sheqiri-Spahiut nga BQK, ishin për shkak të refuzimeve për të heshtur përballë shkeljeve ligjore dhe adresimin e dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

