Rreth 75 deputetë të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë kanë shfrytëzuar të drejtën për të pasur asistentë personalë. Më shumë se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë janë me zyrtarë të lartë personalë, 15 nga 22 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë shfrytëzuar të drejtë, pesë nga 14 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë asistente dhe pesë sosh nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në listën e publikuar nga Insajderi nga Lëvizja Vetëvendosje emra si: Rozeta Hajdari, Agim Bahtiri, Adriana Matoshi, Egzon Azemi, Taulant Kelmendi e Valon Ramadani kanë marrë asistentë personalë.
Ndërkaq në Partinë Demokratike të Kosovës të drejtën për asistentë e kanë shfrytëzuar Bedri Hamza, Enver Hoxhaj, Arian Tahiri, Rrahman Rama, Ganimete Musliu, Sala Jashari e të tjerë.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), asistentë kanë angazhuar në Kuvend Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Fadil Hadërgjonaj dhe Janina Ymeri.
Tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me asistentë në këtë nomenklaturë janë: Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj, Besnik Tahiri, Daut Haradinaj dhe Bekë Berisha.


Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur për Insajderin se lista e zyrtarëve të lartë personal e deputetëve të angazhuar është deri më datën më 31 mars të këtij viti.
Paga e një asistenti, me shtesa dhe mëditje mund të shkojë deri në 900 euro bruto.
Angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

