Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ai, ka thënë se nëse dëshirohet që kjo çështje të merr një zgjidhje duhet të ketë hapësirë për marrëveshje.
“Në qoftë se dëshirojmë zgjidhje, ose në qoftë se jemi të gatshëm edhe si pozitë edhe si opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Domethënë duhet të ulen pozita dhe opozita, të merren vesh bashkërisht për një personalitet, mos ta thjeshtoj për një personalitet i cili kishte me e kry këtë punë pa anime politike”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur se e a do të kthehet Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Mustafa nuk deshi të deklarohet për këtë, duke thënë se nuk është ky rasti që të flet për këtë temë.
“Do t’ju kërkoj falje, sepse sot është krejt një temë tjetër. Nuk do të dëshiroja që sot këtë çështje që e kemi hapur këtu në Akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon e kush çka ka bërë të mbarën. Mund ta shfrytëzojmë ndonjë rast tjetër që unë të jap qëndrimin tim politik”, tha ai.
Kurse, sa i përket mungesës së Abdixhikut në promovimin e librit, Mustafa u shpreh shkurt se kush ka pasur dëshirë ka ardhur.
“Për ftesat e këtij libri, ne kemi pasë atje përpara ftesë publike, kështu që kanë ardhë ata që kanë dashtë me ardhë, me të cilët ne kemi punuar një kohë të gjatë”, tha ai.

