Mesfushori i Wolverhampton Wanderers, Andre, ka deklaruar se është i lumtur në klub, pavarësisht raportimeve që e lidhin me një largim gjatë verës.
Sipas mediave britanike, braziliani pritet të jetë një nga lojtarët që mund të shitet në rast se Wolves përfundon sezonin me rënie nga kategoria, ndërsa interesim për të ka shfaqur edhe Juventus.
Megjithatë, në prag të ndeshjes së sotme ndaj West Ham United, mesfushori ka theksuar se ndihet mirë në ambientin e klubit dhe është i përkushtuar maksimalisht.
“Po e shijoj shumë kohën time këtu te Wolves, si dhe njerëzit përreth klubit. Është kënaqësi të japësh diçka për tifozët që më mbështesin,” u shpreh Andre.
Ai gjithashtu ka folur me fjalë pozitive për trajnerin Rob Edwards, duke e vlerësuar për mbështetjen e treguar edhe në momentet personale të vështira.
“Është një person i jashtëzakonshëm. Kur erdhi, unë isha në Brazil sepse djali im nuk ishte mirë dhe ai më dërgoi mesazh, gjë që për mua ishte shumë e rëndësishme,” tha ai.
Mesfushori shtoi se trajneri i ka dhënë besim të madh në fushë, duke e motivuar çdo ditë për të dhënë maksimumin dhe për të ndihmuar skuadrën.
“Jam shumë i lumtur që punoj me të dhe dua ta ndihmoj sa më shumë. Do të jap gjithçka në fushë për këtë klub,” përfundoi ai

