Presidenti kinez Xi Jinping priti lideren e partisë kryesore të opozitës së Tajvanit, në një takim të rrallë ku të dyja palët e vunë theksin tek dëshira për një klimë paqësore në të dyja anët e ngushticës.
Cheng Li Wun është liderja e parë e partisë KMT që viziton Kinën në një dekadë.
Në 2016-n, Pekini ndërpreu komunikimet e nivelit të lartë me Tajvanin pasi kryetarja e Partisë Progresive Demokratike, Tsai Ing Wen u bë presidente.
Asokohe qeveria kineze denoncoi refuzimin e saj për të pranuar konceptin e një Kine të vetme. Gjithashtu, partia e saj DPP është mes atyre që kanë kritikuar vizitën e Cheng Li Wun, duke e akuzuar atë se i është nënshtruar Pekinit.
Ky i fundit e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar marrjen nën kontroll të ishullit me anë të forcës.
“Liderët e dy partive tona po takohen sot për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e atdheut tonë të përbashkët, për të promovuar zhvillimin e marrëdhënieve paqësore dhe për t’u mundësuar gjeneratave të ardhshme një të ardhme të bukur”, deklaroi presidenti Xi gjatë takimit.
Ai ritheksoi se Kina ishte e gatshme të përforconte dialogun me parti të ndryshme të Tajvanit, përfshirë KMT-në, edhe pse ai duhet të bazohet në kushtin që të kundërshtojë pavarësinë e ishullit.
Xi shtoi gjithashtu se palët në dy anët e Ngushticës së Tajvanit janë kinezë dhe se të gjithë ata duan paqe.
Duke reaguar, Cheng tha se, “ripërtëritja e popullit kinez është një aspiratë e përbashkët e popujve në të dy anët e ngushticës”. Ajo shtoi se një gjë e tillë do të ishte një kontribut pozitiv për paqen në botë dhe progresin njerëzor.
Shumica e njerëzve në Tajvan vetëkonsiderohet si një komb sovran. Por shumë të tjerë mbështesin ruajtjen e status kuosë dhe kundërshtojnë si bashkimin me Kinën, ashtu edhe shpalljen e pavarësisë.

