Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha përmes një postimi në “X” ka ndarë pamje nga Times Square ku paraqitet një klip lidhur me samitin e 4-të të Diasporës Shqiptare. Në video paraqitet Ismail Qemali dhe Nënë Tereza.
Hoxha shkruan se ngjyrat kuq e zi bien në sy në çdo cep të botës. Sipas tij samiti merr jetë aty ku ndodhet ritmi global dhe se është një dëshmi se identiteti shqiptar udhëton larg.
“Ngjyrat e kuqe dhe të zeza bien në sy kudo -në çdo cep të botës. Por ndoshta askund nuk shkëlqejnë më fort sesa në sheshin më të famshëm në botë: #TimesSquare. Samiti i 4-t i #Diasporës Shqiptare merr jetë edhe aty ku rrahin ritmet globale, një dëshmi se identiteti ynë udhëton larg, por mbetet përgjithmonë i forte”, shkruan Hoxha.
Ngjyrat kuqezi dallojnë kudo — në çdo cep të botës 🇦🇱
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) April 12, 2026
Por mbase askund nuk ndriçojnë më fort sesa në sheshin më të famshëm në botë: #TimesSquare 🇺🇸
Samiti i IV-të i #Diasporës shqiptare merr jetë edhe atje ku rrahin ritmet globale, një dëshmi se identiteti ynë udhëton larg, por… pic.twitter.com/pEAiN3yYWf
Kryeministri Edi Rama këtë të diele në podkastit “Flasim” njoftoi se samiti do të fillojë nesër, të hënën e 13 prillit me ceremoninë e mirëpritjes. Ai theksoi se ky samit do të bëjë bashkë edhe një herë të gjithë shqiptarët nga e gjithë bota.
“Nesër mirëpresim në Tiranë samitin e diasporës, edicioni i katërt, që mbledh edhe një herë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që punojnë e jetojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë në Shqipëri. Sa herë u jepet mundësia, mendojnë apo vizitojnë Shqipërinë. E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëpritjes.
Vlerësim jo vetëm për shqiptarët që kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së tyre. Diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet e vendit.
Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm. Gjithmonë si një partner i drejtpërdrejtë, tek politika, më pas te ekonomia, e hap pas hapi në rrugët e reja të dijes.
Dhe sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar në një bashkëpunim që prodhon rezultate për vendin dhe jo vetëm për vetë shqiptarët, kudo që janë”, u shpreh Rama

