iPresidenti amerikan Donald Trump ka propozuar emërimin e gjeneral-lejtnantit në pension Eric P. Wendt si ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Emri i tij është dërguar për shqyrtim në Senatin amerikan dhe, nëse miratohet, Wendt pritet të marrë detyrën diplomatike në Shqipëri.
Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati
Ambasada amerikane në Tiranë ka mbetur pa ambasador të plotë prej rreth tre vitesh, që pas largimit të ambasadores Yuri Kim në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, misioni është drejtuar nga të ngarkuar me punë dhe përfaqësues të përkohshëm.
Administrata e presidentit Joe Biden më herët kishte propozuar diplomatin David J. Kostelancik për këtë post, por kandidatura e tij nuk arriti të finalizohej në Senat.
Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, emërimi i Wendt do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në përfaqësimin diplomatik të SHBA në Shqipëri, duke sjellë një figurë me profil ushtarak dhe përvojë në operacione ndërkombëtare

