Ura mbi Bunë ende s`ka nisur, Nimanbegu optimist për ndërtimin

by Nexhat

Ura mbi lumin Buna, që pritej të lidhte Ulqinin me Velipojën dhe të shkurtonte ndjeshëm distancën mes dy destinacioneve turistike, vazhdon të mbetet vetëm në letër. Edhe pse ishte paralajmëruar të përfundonte në vitin 2024, tash kur jemi në prag të sezonit turistik 2026, punimet ende nuk kanë nisur. Megjithatë, në një intervistë për Radio Kosovën, kryetari i Ulqinit, Genc Nimanbegu, shprehet optimist se kjo urë do të ndërtohet, por pa ofruar parashikime të reja për data.

Ishte viti 2022, kur gjatë një takimi të nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër, ku merrnin pjesë edhe kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç, u prezantua projekti 3D i urës mbi lumin Buna. Në atë kohë u tha se finalizimi i urës do të bëhej në mesin e vitit 2024.

banner

Këtë e kishte theksuar edhe përmes një postimi në Facebook në qershor të vitit 2022, kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

“Gjatësia totale e urës do të jetë 310 metra. Ura do të jetë 17 metra e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku, dy trotuare dhe dy korsi biçikletash. Ura do të lidhë 34 kilometra plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë çdo vit. Distanca aktuale mes Ulqinit dhe Velipojës është 73 kilometra, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 kilometër. Data e planifikuar e përfundimit të punimeve është gusht 2024”, kishte shkruar Abazoviç.

Më pas, në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, Rama dhe Abazoviç nënshkruan edhe Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës, me vlerë rreth 20 milionë euro. Të dyja qeveritë do të investonin në raport 50 me 50 për qind.

Megjithatë, ura nuk është përfunduar ende, tashmë dy vite pas afatit të paralajmëruar. Në fakt, ndërtimi i saj ende nuk ka nisur.

E kryetari i Ulqinit, Genc Nimanbegu, në intervistën për Radio Kosovën, shprehet optimist për realizimin e projektit.

“Ideja dhe diskutimet e para për urën mbi Bunë nuk janë nga viti 2022, por nga viti 2015 dhe janë procese që zgjasin. Nëpër media është dhënë informata që ky projekt dështoi, por kjo nuk është e saktë. Kontaktet që ne i kemi si komunë i kemi pasur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Na është thënë se ata i kanë mjetet e dedikuara në buxhetin e shtetit të Shqipërisë”, tha kryetari.

Nimanbegu thotë se komunës i takon të harmonizojë punën me organet shtetërore të Malit të Zi dhe t’i nxisë që sa më parë të krijohet komisioni i cili do të bëjë rrumbullakësimin e këtij investimi.

“Domethënë, projekti është ende i gjallë, por hapat nuk janë bërë të mjaftueshëm dhe unë shpreh keqardhje për këtë. Vetë vlera e urës së re është vlerësuar rreth 20 milionë euro, kështu që nuk mendoj se është e papërballueshme për buxhetet e dy shteteve”, tha Nimanbegu.

Nga ana tjetër, në Ulqin tashmë po bëhen përgatitjet për pritjen e turistëve. Në qytet vërehen punime infrastrukturore, të cilat, sipas kryetarit, do të përfundojnë deri në muajin qershor, në mënyrë që të mos pengohen turistët. Ai tha se janë siguruar edhe 120 parkingje të reja.

Nimanbegu njoftoi edhe për një risi në komunën e Ulqinit, që është funksionalizimi për herë të parë i transportit urban.

“Ky do të jetë një transport urban i cili do të përfshijë shumicën e komunës. Në dokumente janë paraparë 10 linja në komunën tonë, kështu që kam shpresë se do të funksionojë më së miri dhe, në një mënyrë, edhe të ulë trafikun, sepse në të gjitha hapësirat ku jetojmë, pa marrë parasysh se në cilin qytet, shohim se numri i makinave është në rritje, parkingu mungon dhe lëvizja gjithnjë bëhet më problematike”, tha Nimanbegu.

Sipas tij, linjat e trafikut urban pritet të fillojnë në muajin korrik të këtij viti.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy