Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Ministri Hoxha njoftoi se në fokus ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theksin te rëndësia e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë.
Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë, rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.
Ministri i Jashtëm shtoi se në takim u diskutuam gjithashtu edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, përplotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët.
Hoxha nënvizoi se “harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjithë grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet e përditshme të Shqipërisë.”
Përgjatë takimit u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës.
Nga ana e saj, komisionerja Marta Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë.

