Detaje të reja kanë dalë në dritë për atentatin që ndodhi të dielën në Balldren të Lezhës, ku u vra Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.
E ftuar në “Studio 24”, gazetarja Klodiana Lala, tha se automjeti i përdorur në atentat dyshohet se është përdorur më herët edhe në një tjetër ngjarje kriminale në Shkodër.
Ajo përgëzoi punën e bërë nga sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit ku u bë e mundur identifikimi shpejt i autorëve të dyshuar të ngjarjes.
“Një prej personave të shpallur në kërkim rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në një rast tjetër në Shkodër, ku dyshohet se ka kanosur dhe ka tentuar vrasjen e një personi tjetër, duke përdorur të njëjtën makinë”, tha Lala.
Gazetarja Lala tha se Mujeci ishte person me precedentë penalë dhe më herët ishte denoncuar edhe për dhunë në familje nga prindërit e tij.

