Bashkimi Evropian do të fitojë anëtarë të rinj në periudhën e ardhshme, me Malin e Zi të parin në radhë, i ndjekur nga Shqipëria, tha Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
“Tani është mjaft realiste që Bashkimi Evropian të zgjerohet në vitet e ardhshme. Megjithatë, në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor ende ekziston skepticizëm nëse anëtarësimi në BE është i mundur. Shpresoj që shembulli pozitiv i Malit të Zi dhe Shqipërisë, të cilat janë të radhës, do të frymëzojë vendet e tjera në rajon të ndjekin shembullin”- tha ajo në një konferencë në Freiburg.
Marrëveshjet e pranimit të vendeve të reja në Bashkimin Evropian do të përmbajnë një dispozitë të re që do t’i lejojë Komisionit Evropian të zbatojë sanksione në rast të mosrespektimit të rregullave dhe “vlerave” të Unionit, shtoi Komisionerja Evropiane.
“Marrëveshja e pranimit me Malin e Zi do të jetë e para që do të përfshijë masa mbrojtëse të veçanta, të nxjerra nga përvoja me Hungarinë” – tha Marta Kos.
Kos pretendon se kjo ka të bëjë me parandalimin e shfaqjes së “Kuajve të Trojës” brenda Unionit.
“Nëse do të më kishit pyetur për këtë pesë ose dhjetë vjet më parë, do të kisha thënë se ishte absurde. Por tani e kuptojmë se duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten,” – shtoi Komisioneri Evropian.
Vendi i fundit që iu bashkua BE-së ishte Kroacia, gjë që ndodhi në vitin 2013, dhe vetë procesi zgjati dhjetë vjet.

