Rritja e kostove të energjisë dhe pasiguria e re që po shkakton lufta me Iranin mund t’i shtyjë sërish kompanitë europiane drejt modeleve të punës nga shtëpia, ndërsa paralelisht pritet të zgjerohet kërkimi për punonjës jashtë Bashkimit Europian, atje ku kostot e punës dhe taksimit janë më të ulëta.
Ky është vlerësimi i ekspertit të ekonomisë, Ergis Sefa, i cili thotë se një zhvillim i tillë mund të kthehet në një mundësi të re për të rinjtë shqiptarë që synojnë të punojnë në distancë për tregjet e huaja.
Sipas Sefës, nëse konflikti zgjatet dhe vala e shtrenjtimit vazhdon, bizneset europiane do të kërkojnë forma më fleksibël organizimi për të ulur kostot operative. Në një situatë kur energjia, transporti dhe zinxhirët e furnizimit janë nën presion, puna nga shtëpia shihet si një nga mënyrat më të shpejta për të frenuar një pjesë të shpenzimeve, ndërsa punësimi i stafit në vende jashtë BE-së mund të përdoret si instrument për të mbajtur nën kontroll kostot totale të punës.
“Nëse lufta në Iran do të vazhdojë më tej dhe kostot do të vijojnë të rriten, parashikimet tregojnë se kompanitë europiane do të rikthehen te modelet e work from home. Madje pritet që do të kërkojnë më shumë punonjës jashtë BE për kosto më të ulëta taksimi dhe ky do të jetë një shans i ri për të rinjtë shqiptarë që duan të punojnë nga shtëpia”, u shpreh ai.
Kjo prirje nuk po mbetet vetëm në nivel parashikimesh. Në Bruksel, debati mbi punën në distancë është rikthyer si pjesë e paketave për menaxhimin e krizës energjetike. Komisioni Europian po inkurajon shtetet anëtare që të përdorin modele hibride dhe punë nga shtëpia si një mjet për të ulur konsumin e energjisë, sidomos përmes reduktimit të përdorimit të zyrave dhe lëvizjes ditore të punonjësve. Qasja e re e trajton organizimin e punës si instrument ekonomik, jo vetëm si çështje e tregut të punës.
Deklarata vjen në një moment kur ndikimi ekonomik i konfliktit po bëhet gjithnjë më i prekshëm në Europë. Komisioni Europian po përgatit masa të reja për të përballuar rritjen e kostove të energjisë, ndërsa presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka kërkuar koordinim të vendeve anëtare për të shmangur goditje të tjera në çmimet e energjisë. Reuters raportoi se lufta ka shtuar me rreth 22 miliardë euro kostot e lëndëve djegëse fosile në BE, ndërsa vetë Brukseli po shqyrton zgjerimin e ndihmës shtetërore për sektorët më të goditur.
Presioni është reflektuar edhe në tregjet globale të naftës. International Energy Agency ka rishikuar parashikimet për ofertën dhe kërkesën globale, duke e lidhur këtë me ndërprerjet e mëdha të furnizimit pas përshkallëzimit të konfliktit. Në Europë, Reuters raportoi se çmimet fizike të naftës për dërgesa të menjëhershme janë ngjitur pranë 150 dollarëve për fuçi, ndërsa frika për furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit po ushqen kosto më të larta për industrinë dhe transportin. Edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka përfshirë punën nga shtëpia mes rekomandimeve për të zbutur presionin nga çmimet e larta të energjisë, bashkë me kufizimin e udhëtimeve dhe uljen e konsumit të karburanteve.
Në nivel europian, analiza e LSE tregon se në qytetet europiane puna hibride është forma dominuese: rreth 1 në 5 punonjës janë në modelin hibrid të punës, ndërsa vetëm 1 në 10 mbeten full remote. Pra, rritja po vjen më shumë te fleksibiliteti sesa te puna vetëm nga shtëpia.
Edhe Eurofound konfirmon se shumica e kompanive kanë standardizuar skema 2–3 ditë remote në javë, sidomos për rolet knowledge-based.
Nëse kjo prirje konsolidohet, avantazhi nuk do të jetë vetëm te paga më konkurruese për punëdhënësit europianë, por te fakti që tregu i punës mund të bëhet më pak i lidhur me vendndodhjen gjeografike. Siç sugjeron edhe eksperti, për një pjesë të të rinjve shqiptarë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të hyrë në tregun europian pa u larguar fizikisht nga vendi. /Monitor

