Vuçiq kërcënon hapur: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

by Nexhat

Kongresisti amerikan, Keith Self, së bashku me dy kolegë tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve në ShBA për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Por, këtë iniciativë po zotohet se do ta luftojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

banner

“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug“, transmeton Klankosova.

Në rezolutën e propozuar nga kongresistët amerikanë, përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

Rezoluta bën thirrje këtyre katër aleatëve t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.

“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, ka thënë kongresisti Self.

Ai ka shtuar se shtimi i Kosovës në aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë Self.

Në rezolutë thuhet se shtimi i Kosovës në aleancën e NATO është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara në Evropën Juglindore.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy