Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte së fundmi i ftuar në podkastin e mirënjohur, “The Rest Is Politics”. Përballë tij ishin dy persona me njohuri të mira të rajonit: Alastair Campbell, ish-drejtori i komunikimit i Tony Blair-it gjatë luftës në Kosovë, dhe Rory Stewart, ish-diplomat britanik me përvojë në Ballkan. Diskutimi u shndërrua shpejtë në përplasje rreth çështjes së Kosovës.
Që në start, Vuçiq u lëshua në paralelizma absurde rreth çështjes së ndërhyrjes së NATO-s dhe përpjekje për të relativizuar krimet serbe. Në fund, ai u pyet edhe për mundësinë për të përmirësuar marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti, pyetje së ciës iu përgjigj duke u ankuar se ‘nuk ka njëri në botë që mund të merret vesh me të’.
Vuçiq e nisi duke e quajtur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 “agresion kundër një shteti sovran”, se u krye “jo në pajtim me Kartën e OKB-së” dhe çoi pjesën më të madhe të kohës duke akuzuar Perëndimin për shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Campbell e sfidoi me pyetjen nëse mund ta shikonte nga perspektiva tjetër, duke ia kujtuar maskrat dhe përpjekjet e Millosheviçiq për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës:
“A nuk mund të ktheni kokën pas dhe të mendoni se, në fakt, duke parë sjelljen e Millosheviqit, përpjekjen për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe disa nga masakrat që ndodhën, 19 vendet do t’i kishin bërë një shërbim të keq njerëzimit po të mos kishim ndërhyrë?”, e pyeti ai.
Vuçiq nuk e mohoi ekzistencën e krimeve të luftës nga ana serbe, por menjëherë relativizoi gjithçka në absurditet duke pretenduar se “ka pasur krime lufte nga të dyja anët” dhe se gjithçka ishte “ekzagjeruar.”
Vuçiqi u mundua më tej ta kthente Kosovën në precedent botëror dhe se si, sipas tij, pavarësia e Kosovës “hapi kutinë e Pandorës” dhe çoi direkt në agresionin rus ndaj Ukrainës, madje edhe ndaj krizave me Iranin.
“Mund t’ju them se shumë njerëz në botë filluan të bënin diçka kundër kombeve sovrane dhe të ndryshonin kufijtë, sepse panë që ju ishit në gjendje të ndryshonit kufijtë tanë, ose të paktën menduat se e përfunduat punën tuaj, në rregull, në vitin 1999 dhe 2008.”
Kjo logjikë iu sfidua nga Rory Stewart, duke i rikujtuar se rasti i Kosovës ishte ndërhyrje ekskluzivisht humanitare për të parandaluar gjenocidin, ndërsa veprimet e Rusisë janë agresione të pastra imperialiste për zgjerim territoresh.
Campbell dhe Stewart e pyeten edhe për kryeministrin Albin Kurti dhe sa e shihte të mundshme ndërtimin e një marrëdhënie si ajo që thotë se ka ndërtuar me Viktor Orbanin:
“A mund ta shihni veten ndonjëherë duke zhvilluar një marrëdhënie të tillë me Kurtin? Pra, ju thoni se keni këtë situatë shumë të vështirë. Ju dhe Viktor Orbani u bashkuat, ndërtuat një marrëdhënie. A është krejtësisht e pamundur të mendohet se mund ta bëni këtë me Albin Kurtin dhe Kosovën?”
Vuçiq u përgjigj se “nuk ka njeri në botë që mund ta ketë atë lloj marrëdhënieje me Albin Kurtin. Pikë.” /Nacionale

