Në Spaç është zhvilluar një aktivitet përkujtimor me rastin e 53-vjetorit të Revoltës Antikomuniste, me moton “E duam Shqipërinë si Europa”, një ngjarje që rikujton rezistencën e të burgosurve politikë gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Në këtë ceremoni përkujtimore, 53 vite pas revoltës së vitit 1973, morën pjesë ish-të përndjekur politikë, përfaqësues institucionesh, studiues, familjarë dhe qytetarë, të cilët nderuan sakrificat e të burgosurve dhe mesazhin historik të revoltës së Spaçit.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Mirditë, si dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, të cilët vlerësuan Revoltën e Spaçit si simbol të aspiratës për liri dhe demokraci.
Aktiviteti u mbyll me ngritjen simbolike të flamurit shqiptar dhe homazhe në nderim të viktimave të diktaturës komuniste, ndërsa mesazhi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” u theksua si një thirrje që vijon të mbetet aktuale edhe sot.
Revolta e burgut të Spaçit ishte një kryengritje dy ditore e të burgosurve politikë të burgut të Spaçit, e cila nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati deri më 23 maj.
Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.






