Komuniteti Mysliman reagon për terapinë hormonale: Apel për kujdes maksimal ndaj të miturve

by Nexhat

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale, duke shprehur shqetësim të thellë për përmbajtjen, veçanërisht pjesën ku parashikohet që terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.

Në qëndrimin e tij publik, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se ka mbajtur më herët një qëndrim kundër ligjit për barazinë gjinore dhe se mbetet koherent në kundërshtimin edhe të “derivateve” të tij, siç e cilëson udhëzimin e fundit.

banner

Sipas deklaratës, çështje të tilla konsiderohen shumë delikate pasi prekin zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve, ndaj çdo vendimmarrje institucionale në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal dhe përgjegjësi të lartë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtim ndaj çdo qasjeje që, sipas tij, hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të hershme, duke argumentuar se të miturit nuk duhet të përballen me vendime me pasoja afatgjata në një periudhë kur identiteti i tyre është ende në formim.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm, ndërsa shoqëria nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë, sipas tyre, paqartësi dhe tension social në raport me familjen dhe edukimin e brezave të rinj.

Në përfundim, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë që çështje të tilla të trajtohen me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se qëndron pranë shqetësimeve të shumë prindërve dhe besimtarëve për mbrojtjen e vlerave familjare dhe ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy