Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për përfshirje dhe mbështetje të grupeve të strukturuara kriminale në trafikun dhe kultivimin e lëndëve narkotike.
SPAK ka dërguar për gjykim ish-efektivët Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, pasi sipas hetimeve rezultoi se ata kanë dështuar të parandalonin aktiovitetin kriminal të trafikut të drogës.
Sipas hetimeve, të tre të pandehurit, gjatë vitit 2020, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar funksionimin e rregullt të strukturave të Policisë së Shtetit, duke mos marrë masa për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.
Sipas SPAK, hetimet çuan në përfshirjen e ish-policëve pas dokumentimit të aktivitetit kriminal të trafikut të drogës gjatë bitëve 2019-2021 në Tepelenë dhe Sarandë.
Hetimet kanë zbuluar se anëtarë të grupeve kriminale kishin krijuar kontakte me punonjës të Policisë së Shtetit për të siguruar vijimësinë e aktivitetit të paligjshëm.
Sipas SPAK, Erdit Hazizaj, në kohën kur ushtronte detyrën si specialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, dyshohet se ka ndihmuar grupin kriminal me informacione dhe këshilla për shmangien e goditjes nga policia.
Po ashtu, Shkëlzen Ruska, si ish-specialist në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, dyshohet se ka ofruar informacion dhe mbështetje për grupin kriminal në zonën Tepelenë–Gjirokastër.
Ndërsa Ervis Alisinaj akuzohet për mosveprime dhe shkelje të detyrës zyrtare gjatë ushtrimit të funksioneve në polici.
Një nga operacionet ishte në zonën e Sarandës, ku një grup i strukturuar kriminal dyshohet se është përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Greqisë. Hetimet kanë dokumentuar edhe një rast trafikimi më 7 mars 2020, përmes pikës kufitare të Qafë Botës, ku u sekuestruan mbi 1.1 ton kanabis i papërpunuar, si dhe sasi të tjera të përpunuara në formë çokollate dhe vaji, me një vlerë të përllogaritur rreth 1.7 milionë euro. Sipas SPAK, sasia e lëndës narkotike u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar më pas në Greqi.
Ndërkohë, në një tjetër episod të hetimeve, në zonën Tepelenë–Gjirokastër është zbuluar një plantacion me 1360 bimë narkotike, të kultivuara nga një grup tjetër kriminal.
Pas dokumentimit të përfshirjes së 3 ish-policëve në trafikun e drogës, SPAK ka ngritur akuza konkrete dhe ka dërguar për gjykim: Erdit Hazizaj akuzohet për “Trafikim i lëndëve narkotike”, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” si dhe “Shpërdorim detyre”.
Shkëlzen Ruska akuzohet për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ndërsa Ervis Alisinaj akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
/rtsh.al/

