“Zvërneci”, Rama: Projekti do bëhet, jam në ‘istikamin’ që më kanë vënë shqiptarët

by Nexhat

Kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat sot në 3 qershor, ku foli për çështjen e Zvërnecit.

Rama tha se mbështet kontrollin e fondeve për blerjen e pronave në Zvërnec.

banner

“Besoj se dëgjuat vendimet e qeverisë sot, por jam sot për çështjen e Zvërnecit. Që do të thotë, me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve, të cilët tanimë janë edhe pronarë. Ndërkohë që, unë e konsideroj shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur t’i mbajë të ngrira fondet, pa i lënë të kalojnë te shitësit, për të cilët ka një proces hetimor.

Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut dhe, në të dyja rastet, rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi e manipulimi.

Në rast se shitësi ka origjinë legjitimie, do marrë paratë. Në rast se nuk e ka, paratë do i mbeten shtetit dhe ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”, tha Rama.

Duke komentuar protestat, edhe njëherë tha se është i vendosur që të vijojë projektin që ka nisur në Zvërnec. Tha se është i vendosur në “istikamin” që e ka vënë populli shqiptar.

“Ky është një film i vjetër, sepse këtu nuk ka asgjë të re. Asgjë nuk më lëviz mua nga istikami që ma kanë vendosur shqiptarët. Unë mëshiroj vullnetin e së paku 800 mijë shqiptarëve. Kush dëshiron të flas për faktin sesi rrezikohet mjedisi, mund të bisedojë me mua. Por ata që më shajnë mua nga njerëzit e shtëpisë, ata janë subjekt vetëm për Zotin, nuk janë subjekt për mua. Ata më ngjajnë mua me ata të Agimit të Artë, janë komplet të çartur. Kjo luftë do mbarojë dhe çdokush do marrë atë që i takon. Shqipëria do marrë atë që i takon, duke rritur ekonominë e vendit. Resortet luksoze sjellin të ardhura për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Rama.

I pyetur për protestuesit, që thërrasin “Rama në burg”, kryeministri deklaroi se këto janë parrulla shumë të vjetra.

“Këto parrullat ‘burg, burg’ janë një film i vjetër dhe është film me një fund, që e kanë parë të gjithë. Shqipëria sot ka një institucion drejtësie, që quhet SPAK. Është ky institucion që vendos për të gjithë zyrtarët e këtij vendi dhe çdo qytetar apo institucionet e tjera të drejtësisë. Por filmi i vjetër ka fundin, që e kemi parë disa herë”, u shpreh kryeministri.

*Istikam – llogore, hendek i gjatë që hapet për të qëndruar gjatë luftimeve ose për strehim./tvklan.al

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy