Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të martën, ka zhvilluar operacione në dy raste të ndara kundër krimit të organizuar, ku janë arrestuar tetë persona.
Gjatë operacioneve, nën udhëheqjen e PSRK-së dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në të dy rastet janë sekuestruar prova relevante që do të shërbejnë gjatë procedurave penale.
“Në rastin “White Star”, u arrestuan pesë persona, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale:pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar;blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”, thuhet në njoftim.
“Ndërsa, në rastin e dytë i koduar me emrin “Mega”, tre personat e arrestuar dyshohen për: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar;Financim i terrorizmit; Shpëlarje e parave; Mashtrim; Detyrim; Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse;Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analogeve të tyre”, vijon njoftimi.
Sipas prokurorisë, rastet hetimore janë mbështetur nga institucione ndërkombëtare të drejtësisë, të cilat në vazhdimësi bashkëpunojnë ngushtë me PSRK-në, “si FBI, Europol, autoritetet policore të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kanadasë (RCMP), si dhe OPDAT nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara”.
“Prokuroria Speciale është e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për garantimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, përfundon njoftimi.

