VLE, subjekti politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që bashkëqeveris me VMRO-DMPNE-në e kryeministrit Hristjan Mickosci në Shkup tha se kanë nisur punimet në terren për ndërtimin e rrugës Tetovë–Prizren, duke e cilësuar projektin si një lidhje strategjike mes RMV dhe Kosovës.
“Rruga Tetovë–Prizren si një projekt kombëtar dhe strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka çelur syparin. Me fillimin e punimeve në terren në segmentin mbi Shipkovicë, po merr fund një histori premtimesh boshe që për më shumë se dy dekada u përdor vetëm për fushata elektorale”, shkroi VLEN në një postim në Facebook, duke ndarë edhe një video në të cilën shihet një buldozer duke punuar.
Sipas VLEN-it, për vite me radhë qytetarëve të Tetovës u janë dhënë premtime për projektin, ndërsa tani, sipas tyre, punimet kanë nisur konkretisht me makineri në terren.
“Ky është dallimi mes atyre që Tetovën e përdorën për marketing politik dhe VLEN-it që punon për ta zhvilluar Tetovën me projekte reale nën drejtimin e Bilall Kasamit. Rruga Tetovë–Prizren nuk është vetëm një investim infrastrukturor. Ajo është një lidhje strategjike mes shqiptarëve, një nxitje për ekonominë, turizmin dhe zhvillimin e rajonit. Pikërisht për këtë arsye, VLEN dhe Kasami do ta çojnë këtë projekt deri në fund, pa u ndalur nga zhurma politike e atyre që për vite nuk bënë asgjë”, shkruan VLEN.
VLEN vlerësoi se rruga Tetovë–Prizren nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por edhe një projekt me rëndësi strategjike për lidhjen mes shqiptarëve, zhvillimin ekonomik, turizmin dhe rajonin në tërësi.
Në fund, VLEN theksoi se projekti do të realizohet deri në përfundim dhe se, sipas tyre, qytetarët tashmë e dallojnë ndryshimin mes premtimeve dhe projekteve konkrete.

