Asnjë hap pas/ Revolta në ditën e 48, qytetarët sërish në shesh: Jo negociata! Rama të japë dorëheqjen

by Nexhat

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike hyn sot në ditën e saj të 48-të. Edhe këtë pasdite, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, duke konfirmuar se revolta e nisur prej javësh nuk ka ndërmend të ndalet.

Organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe, ndërsa ritheksojnë se kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kastës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.

banner

Mesazhi i protestës u bë edhe më i qartë në ditën e 47-të, kur organizatori Edison Lika deklaroi se lëvizja nuk do të hyjë në asnjë negociatë dhe nuk do të lejojë askënd ta përfaqësojë politikisht.

“Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd. Pika e parë e kësaj proteste është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.

Gjatë protestës së djeshme, aktivistët kritikuan edhe përpjekjet që, sipas tyre, synojnë të krijojnë idenë e një reflektimi brenda mazhorancës, duke theksuar se qytetarët nuk do të mjaftohen me lëvizje kozmetike apo ndryshime emrash në qeveri.

Një nga momentet më simbolike ishte pjesëmarrja e studentëve të veshur me pelerinat e diplomimit. Me mesazhin “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata deklaruan se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa rininë.

Po ashtu, aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi që hetimet të mos ndalen te ish-zyrtarët, por të shtrihen deri te drejtuesit më të lartë të qeverisë.

“Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Edhe pankartat vijuan të ishin një nga elementët më të spikatur të protestës, me mesazhe ironike dhe satirike ndaj qeverisë, opozitës dhe gjithë klasës politike. Nuk munguan as brohoritjet që tashmë janë kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.

Pas 47 ditësh radhazi në shesh, organizatorët këmbëngulin se protesta do të vijojë çdo ditë, duke ftuar qytetarët të bashkohen edhe sot në tubimin e 48-të, që sipas tyre do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy