Kryeministri Edi Rama foli këtë të premte në prezantimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, të cilin e cilësoi si programin më ambicioz të mbështetjes së qeverisë për bizneset e vogla dhe të mesme.
Rama theksoi se programi nuk është vetëm një linjë kredie, por një proces më i gjerë ku përfshihen disa institucione, mes tyre Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Sipas tij, një fokus i veçantë do t’i kushtohet agro-përpunimit, turizmit dhe mbështetjes së shoqërive të përbashkëta në zonat rurale.
“Ky program, kjo linjë kredie, është menduar për të vegjlit dhe të mesmit, jo për sipërmarrjet e mëdha, të cilat nuk do të kenë mundësi të kenë akses në këtë program. Që të jemi të qartë, ua kemi mbyllur shtigjet të mëdhenjve në këtë projekt. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike”, u shpreh Rama.
Duke u ndalur te bashkëpunimi mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë për realizimin e këtij programi, Rama tha se synimi është t’u jepet mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të rriten dhe të dyfishojnë aktivitetin e tyre.
“Të gjithë kemi vënë në dispozicion të sipërmarrjes, sepse ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe më pas edhe të bankave të nivelit të dytë, të cilat, për hir të së vërtetës, të paktën me fjalë, na kanë garantuar se do të bëjnë pjesën e tyre për suksesin e këtij programi”, tha Rama
Kryeministri kritikoi bankat për atë që e cilësoi si një “zonë komforti”, duke kërkuar prej tyre një rol më aktiv në mbështetjen e biznesit.
“Bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, ndërkohë që të gjithë të tjerët luftojnë për të fituar. Bankat fitojnë pa luftuar. Me këtë program synojmë t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen dhe të rriten”, u shpreh Rama.
Ai falënderoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për rolin e tij në këtë projekt, ndërsa kërkoi që bankat të nxirren nga kjo “zonë komforti” përmes një angazhimi më të madh.
Rama bëri të ditur gjithashtu se në këtë proces do të angazhohet edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes ekspertëve ndërkombëtarë që do të asistojnë bizneset me ide dhe plane zhvillimi, por që nuk kanë kapacitetin për t’i paraqitur ato në mënyrë bindëse për financim.
Sipas kryeministrit, Ministria e Ekonomisë do të ketë rolin e koordinimit mes bizneseve dhe grupit të ekspertëve, ndërsa është vënë në dispozicion edhe një platformë online për komunikimin me sipërmarrjet.
“Website-i është menduar si një mekanizëm komunikimi dhe ndërveprimi të shpejtë, por edhe si një urë që do të lehtësojë ndjekjen e ecurisë së këtij programi”, tha Rama.
Ai shtoi se do të zhvillohet edhe një cikël takimesh në territor për të kontaktuar bizneset e interesuara dhe për të nxitur përfshirjen e tyre në program.

