Shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit ose konfirmimi i tij në krye të partisë. Kjo është agjenda e Kuvendit të radhës të LDK-së. Ai tha se do të shkojë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme “me bindje dhe me qetësi”, ndërsa kundërshtarët e tij brendapartiakë kërkojnë largimin e tij nga udhëheqja. Partia më e vjetër në vend duhet ta vendosë të enjten në orën 18:00.
Një Kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, “i panevojshëm, i pakohë dhe i pavend” sipas kryetarit të kësaj partie, do të mbahet të enjten në orën 18:00.
Sipas detyrimeve të përcaktuara me statutin e partisë, Lumir Abdixhikut dje pasdite iu desh të merrte vendim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Vendimi erdhi pas dorëzimit dhe verifikimit të rreth 150 nënshkrimeve të delegatëve të LDK-së, të cilët kërkojnë largimin e tij nga pozita e kryetarit. Kuvendi i LDK-së i ka 355 delegatë, përfshirë kryetarin.
LDK-ja njoftoi dje se Sekretariati kishte kryer “verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit”, dhe se “është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”.
Ndërsa vendi i mbajtjes së këtij Kuvendi dhe detajet e tjera organizative u tha se do t’u komunikohen delegatëve siç përcakton statuti, Abdixhiku në mbrëmje tha se “nuk ka qenë as koha, as vendi, edhe më pak mënyra” që kjo të ndodhte.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim. Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim. Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK. E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha; as vendi; edhe më pak mënyra. Por zgjodhën një rrugë tjetër”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Abdixhiku tha se “demokracia këtë ka” dhe se i duhej ta pranonte edhe kur nuk i duket e drejtë. Tha se e respekton demokracinë dhe se pret që ata që kërkojnë shkarkimin e tij “të sillen njejtë edhe të tjerët pas të enjtës kur LDK flet përsëri”.
Kur më 15 korrik u dorëzuan nënshkrimet e 1/3 e delegatëve që kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i partisë, Abdixhiku i pezulloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja. Ai alarmoi se ky proces mund ta dëmtojë partinë “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.
Por dje, ai tha se Kuvendi i së enjtes mund t’i japë LDK-së qartësi, gjënë që tha se “i ka munguar më së shumti” kësaj partie.
“Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndrojë. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër. Dhe nga këto bindje, del dhe thirrja ime, për delegatët e Lidhjes. Qëndroni! Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë! Të enjtën, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, shkroi ai.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut që pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar – dhe kishte dhënë vetë dorëheqje nga pozita e nënkryetares – tha dje se të enjten LDK-ja “do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj”.
“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia jonë politike do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashkët. Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Për Bajramin, “Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”.
“Dhe këtu pyetja është shumë e thjeshtë: A jemi të kënaqur me gjendjen ku ndodhet LDK-ja sot? Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, shkroi ajo.
Duke kujtuar se që nga viti 2021 “LDK-ja ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe në të tria ka përfunduar si partia e tretë”, Bajrami tha se “LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, jo thjesht zëvendësimi i një emri me një emër tjetër”.
Ajo tha se “Kuvendi i ardhshëm nuk duhet të shihet si fundi i dikujt, por si mundësi për një fillim të ri – të përbashkët për të gjithë ne”.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, ish-shefi i grupit parlamentar të kësaj partie në disa legjislatura, Arben Gashi tha se “për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në”.
Ai shkroi dje në Facebook se mbledhje e Kuvendit të LDK-së të enjten “nuk është thjesht statutare”.
“Është momenti kur vendoset drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bashkë me të edhe drejtimi që mund t’i ofrojmë Kosovës në vitet që vijnë”, shkroi Gashi
“Ky është çasti kur duhet të mbizotërojnë arsyeja mbi emocionin, ideali mbi interesin e ngushtë dhe vizioni mbi kalkulimet afatshkurtra. Këtu vendosen themelet e LDK-së së së ardhmes: një LDK me identitet të qartë, me lidership të fortë, me vlera të palëkundura dhe me guxim për të udhëhequr”, shtoi ai.
Vendimet që merren të enjten, Gashi tha se “do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja”.
“Kosova ka nevojë për një LDK të fortë. Dhe një LDK e fortë fillon me vendime të drejta, të mençura dhe largpamëse. E ardhmja nuk pret. Është koha ta ndërtojmë”, shkroi ai./ Gazeta Express

