Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka thënë se pas dështimit që Kuvendi i Kosovës të konstituohet brenda afatit 30 ditësh siç parashihet, çdo veprim tutje është antikushtetues.
Sipas Bytyqit, rruga e vetme që ka mbetur është të dilet në rrugë për të protestuar.
“Çdo veprim që merret tash e tutje është antikushtetues. E kemi përmendur që rruga e vetme që ka mbetur është me dalë në rrugë. Kjo është e padiskutueshme. Jemi duke e diskutuar si parti por edhe partitë tjera. Po e shohim tash këtë pjesë si do të veprojmë”, ka thënë Bytyqi.
E pyetur se a po planifikojnë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë që e konsiderojnë shkelje, Bytyqi ka thënë se partitë tjera janë duke e shqyrtuar dhe “bashkë me to, pse jo”.
“Ne si Aleancë nuk e di sa do të kemi mundësi por partitë tjera janë duke e shqyrtuar, në bashkëpunim me partitë e tjera pse jo. Ta shohim si do të veprojë tash e tutje Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Bytyqi
Deputetja e Aleancës ka përsëritur se do të vazhdojnë t’i refuzojnë ftesat edhe nëse do të ketë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi po presin deklarim për gjashtë pikat që ky subjekt politik ka kërkuar t’i pranohen.
“Qysh në fillim i kemi refuzuar ftesat, do të vazhdojmë t’i refuzojmë. Kërkesat tona janë shumë të qarta dhe shumë të kuptimta kështu që nuk ka nevojë për pjesëmarrje. Vetëm le të dalë kryeministri Kurti le të deklarohet për ato kërkesa dhe ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë”, ka përfunduar Bytyqi.

