Opinionisti Mentor Nazarku ka komentuar reagimin e Shqipërisë ndaj deklaratave të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e devijimit të lumit Ibër.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Nazarku tha se Shqipëria ka reaguar si ekip ndaj qëndrimit të presidentit serb dhe se kjo, sipas tij, ka sjellë edhe reagimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shqipëria ka reaguar si ekip ndaj këtij qëndrimi, i cili në fakt është udhëhequr nga presidenti Vuçiq, në lidhje me devijimin apo me përdorimin e mundësisë së devijimit të lumit Ibër si një lloj shantazhi reciprok”, tha Nazarku.
Ai vlerësoi se reagimi i Shqipërisë tregon se, pavarësisht situatës së brendshme politike, diplomacia shqiptare funksionon.
“Shqipëria ka reaguar, ka demonstruar që, pavarësisht situatës së brendshme, protestave e të tjera, diplomacia e saj funksionon dhe nga një reagim i fortë i Shqipërisë, kombi shqiptar përfiton. Pra, kur Shqipëria i del në krah Kosovës ndërkombëtarisht, kjo është një përfitim, mendoj unë, reciprok. Është përfitim kombëtar dhe, për më shumë, ky reagim i Shqipërisë ka sjellë edhe reagimin e Bashkimit Evropian apo dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Nazarku në Klan Kosova.

