Nxehtësia është bërë tashmë një faktor edhe gjatë vizitave për të parë banesat. Ndërsa valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta këtë verë, blerësit francezë po i kushtojnë vëmendje në rritje komoditetit termik të shtëpisë së tyre të ardhshme, raporton Euronews.com.
Në Paris, një burrë rreth të tridhjetave, gjatë vizitës në një studio prej 14 metrash katrorë në katin e fundit të një ndërtese, pyet: “Nga maji deri në shtator ose tetor, a do të mund ta përdor këtë apartament dhe të jetoj rehat? Apo edhe unë do të më duhet të largohem si të gjithë të tjerët, sepse bëhet shumë vapë?”
Dikur i konsideruar një avantazh, orientimi i një banese tani vlerësohet sipas aftësisë së saj për të ruajtur freskinë. Në kryeqytetin francez, banesat me orientim të plotë nga jugu po humbasin tërheqjen.
“Pronat me orientim nga jugu nuk kërkohen më aq shumë sa më parë, sepse njerëzit e kuptojnë se kur një banesë është e orientuar nga jugu, dielli bie shumë fort mbi të,” hotë agjenti imobiliar Joseph Denke nga FredéLion.
Gjatë vizitave, blerësit i kushtojnë vëmendje çdo elementi që ndihmon në mbajtjen e freskisë: planimetrisë që lejon qarkullimin e ajrit, mundësisë për të ajrosur banesën gjatë natës, grilave, tarracës ose një hapësire të jashtme me hije. Disa marrin në konsideratë edhe praninë e pemëve në lagje.
Kondicioneri, një pikë e fortë në shitje
Kondicioneri, i cili deri më tani rrallë theksohej në njoftimet për shitje, po shndërrohet në një avantazh të rëndësishëm. Pronarët nuk hezitojnë më ta promovojnë këtë veçori kur nxjerrin pronën në treg.
“Në të kaluarën, pronarët nuk mendonin domosdoshmërisht të theksonin faktin se banesa kishte grila ose kondicioner. Sot, këto janë elemente që promovohen shumë qartë,” thotë Laetitia Caron, drejtoreshë e përgjithshme e platformës PAP (Particulier à particulier).
Ky ndryshim në kriteret e blerjes po ndikon edhe në shitjen e disa pronave. Në arrondissement-in e 5-të të Parisit, një apartament prej 66 metrash katrorë, megjithëse me dritare të mëdha, po e ka të vështirë të gjejë blerës. Banesa nuk ka ventilim nga dy anët dhe ajri qarkullon dobët.
“Njerëzit ndihen sikur po mbyten aty brenda dhe nuk ka zgjidhje tjetër përveç instalimit të një kondicioneri,” thotë agjenti imobiliar Christian Tokoto nga Guy Hoquet.
Një në tre francezë mund të mendojë të ndryshojë banesë
Sipas studimit “Canicule & Immobilier 2026” të platformës Leboncoin, i realizuar me 1,752 të anketuar, 81% e francezëve thonë se ndiejnë parehati për shkak të temperaturave të larta në banesat e tyre, ndërsa një në tre do të merrte në konsideratë zhvendosjen për shkak të valëve të të nxehtit.
Valët e të nxehtit nuk shihen më si fenomene të izoluara, por po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet për vendbanimin, shpjegon Sophie Bourg, drejtoreshë e marketingut në Leboncoin Immobilier.
“Freskia dhe komoditeti gjatë verës janë bërë tashmë një kriter më vete në tregun e pasurive të paluajtshme,” thotë ajo.

