Më shumë se 60,000 kanadezë kanë nënshkruar një peticion që kërkon dëbimin e ambasadorit amerikan në Ottawa për shkak të minimit të marrëdhënieve diplomatike midis dy fqinjëve, ka raportuar BBC,
Peticioni online akuzon Pete Hoekstran për “ndërhyrje të përsëritura në diskursin politik kanadez” dhe për “normalizimin e kërcënimeve të administratës Trump për të aneksuar Kanadanë si ‘shteti i 51-të’” i SHBA-së.
Në një deklaratë për BBC-në, ambasada amerikane tha se ishte në dijeni të peticionit, por nuk pranoi të komentojë më tej.
Kanadaja dhe SHBA-ja janë aktualisht të angazhuara në një periudhë intensive bisedimesh tregtare, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përpara se tarifat e reja amerikane të hyjnë në fuqi të mërkurën e ardhshme.
Peticioni, i nisur nga një grua në Calgary, ngre gjithashtu shqetësime në lidhje me takimet në Uashington midis zyrtarëve të departamentit të shtetit të SHBA-së dhe disa banorëve të Albertës që duan që provinca të ndahet nga Kanadaja.
Ai kërkon që ambasadori Hoekstra të largohet zyrtarisht nga roli i tij dhe një komision parlamentar të shqyrtojë “ndërhyrjen diplomatike të SHBA-së në punët e brendshme kanadeze”.
Një republikan dhe aleat i Trump, Hoekstra ka qenë një mbrojtës i zjarrtë i politikave tregtare të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke thënë se ato kanë për qëllim të sigurojnë sigurinë dhe prosperitetin e amerikanëve.
Ai gjithashtu e ka përshkruar marrëdhënien midis dy vendeve si kritike.

