Prof. Avdullah Hoti
Duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka dalë e para në zgjedhje e ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim pas kalimit të këtij afatit bie në kundërshtim me atë aktgjykim.
Moskonstituimi i Kuvendit, i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, nuk mund të kalojë në heshtje.
Disa deputetë, duke pamundësuar qëllimshëm konstituimin e Kuvendit, janë duke e shkelur betimin e dhënë më 6 gusht 2026 për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ndërkaq, disa po e shkelim betimin me mosveprim, duke mos e adresuar këtë shkelje në Gjykatën Kushtetuese.
Dërgimi i kësaj shkelje në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në interesin e partisë së parë, pasi i mundëson asaj që, duke e prolonguar konstituimin e Kuvendit, të çojë vendin në zgjedhje në një datë të përshtatshme për të.
Por ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata duhet t’i japë zgjidhje situatës kur partia që del e para në zgjedhje nuk e shfrytëzon të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit.
Kujtojmë se Republika e Kosovës është me një u.d. të detyrës së Presidentit me mandat të kontestuar pas datës 6 gusht 2026. Kur 120 deputetë e kanë dhënë betimin, ish Kryetares së Kuvendit i ka mbaruar mandati në krye të Kuvendit, i cili mandat i ka mundësuar ushtrimin e detyrës së Presidentit.
Republika e Kosovës është gjithashtu me Kryeministër dhe ministra në detyrë, të cilët nga data 6 gusht 2026 kur e kanë dhënë betimin si deputetë, janë duke e ushtruar detyrën në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë çështje ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.

