Ushtria izraelite ka konfirmuar për herë të parë se ka hapur zjarr ndaj një automjeti që transportonte pesëvjeçaren Hind Rajab dhe gjashtë anëtarë të familjes së saj në qytetin e Gazës, gjatë luftës në Gaza.
Fëmija palestinez fillimisht i mbijetoi sulmit në janar të vitit 2024, në të cilin u vranë disa anëtarë të familjes së saj, por trupi i saj u gjet disa ditë më vonë, së bashku me trupat e të afërmve të saj.
Pas sulmit, Hind arriti t’i përgjigjej një telefonate nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, e cila zgjati për disa orë. Një autoambulancë e dërguar për ta shpëtuar – në një operacion të koordinuar me ushtrinë izraelite – më pas u qëllua, duke vrarë dy pjesëtarë të ekipeve mjekësore, shkruan BBC.
Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se, pas një shqyrtimi të rastit, do të hapin hetim penal.
“Për shkak të dështimeve të pretenduara në koordinimin e lëvizjes së autoambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, është vendosur të nisë një hetim penal për incidentin nga Departamenti i Hetimeve Penale të Policisë Ushtarake”, thuhet në deklaratë.
Fillimisht, IDF-ja deklaroi se asnjë prej trupave të saj nuk ndodhej në atë zonë në kohën kur u vra Hind. Megjithatë, ky pretendim u vu shpejt në pikëpyetje.
Më vonë, IDF-ja tha se kishte “kryer bastisje ndaj objektivave terroriste” me forca që vepronin në lagje të qytetit të Gazës, përfshirë Tel al-Haëa, ku ndodhej Hind.
Vrasja e Hindit u dënua ndërkombëtarisht, pasi një audio-inçizim i dëshpëruar i bisedës së saj me ekipet mjekësore u transmetua në mbarë botën.
Ajo dhe familja e saj po përpiqeshin të largoheshin nga lagjja e tyre në qytetin e Gazës, e cila po përballej me pushtimin izraelit, kur automjeti i tyre u vu nën zjarrin izraelit.
Përgjërimet e Hindit që dikush të vinte ta shpëtonte përfunduan kur linja telefonike u ndërpre, mes zhurmës së të shtënave të tjera.
Historia e saj u shndërrua në një film të nominuar për Oscar, “The Voice of Hind Rajab”.
OKB-ja e përmendi rastin e saj në një komision hetimor, duke e akuzuar Izraelin për krime lufte, akuzë që Izraeli e mohon.
Përveç hetimit penal për rastin e Hindit dhe familjes së saj, IDF-ja tha se do të hetojë edhe vrasjen e 15 palestinezëve, përfshirë pjesëtarë të ekipeve mjekësore dhe një punonjës të OKB-së, pranë Rafahut në jug të Gazës vitin e kaluar.
Në tri raste të tjera, që përfshijnë vrasjen e shtatë punonjësve të Ëorld Central Kitchen në Deir al-Balah dy vjet më parë, si dhe të katër punonjësve të Mjekëve pa Kufij (MSF), të vrarë në dy incidente të ndryshme, IDF-ja tha se nuk kishte gjetur bazë për hetime penale.
IDF-ja është nën presion për të dëshmuar se kryen hetime të brendshme ndaj forcave të saj, në përpjekje për të shmangur procedurat ligjore ndërkombëtare, veçanërisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Synimi është të kundërshtojë akuzat se ka kryer krime lufte dhe se ekziston pandëshkueshmëri për forcat e saj.

