Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-së, Allison Hooker, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u riafirmua rëndësia e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë.
Sipas ministrit, në vijim të diskutimeve të zhvilluara në Uashington në korrik, palët diskutuan mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe bashkëpunimin brenda NATO-s, veçanërisht pas Samitit të Ankarasë dhe në prag të samitit të ardhshëm të Aleancës që do të mbahet në Shqipëri.
Sipas tij, në takim u diskutua gjithashtu për mjedisin e sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Hoxha theksoi se Shqipëria dhe SHBA-ja janë të lidhura nga një partneritet i gjatë, i mbështetur në vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin transatlantik dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë.

