Interpretimi i djeshëm i afateve kushtetuese nga Gjykata, sipas njohësve të kësaj fushe, ka kufizuar hapësirën për kalkulime nga partitë politike. Ndërkohë, njëri prej hartuesve të Kushtetutës, profesori Ismet Salihu, thotë se tashmë përgjegjësia është te partitë politike dhe u kërkon atyre të gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit.
Interpretimi i afateve kushtetuese nga Gjykata ka rikthyer diskutimet për përgjegjësinë e deputetëve dhe partive politike, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se tashmë hapësira për kalkulime politike është e kufizuar.
Njohësi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se interpretimi i fundit i afateve nga Gjykata Kushtetuese bëri të qartë se mosformimi i institucioneve nuk i ndal afatet kushtetuese, duke përcaktuar edhe pasojat politike për deputetët, nëse brenda afateve kushtetuese nuk formohen të gjitha institucionet.
“Vazhdimisht është bërë presion që, kur Gjykata ka vendosur afatin 30-ditor, nuk ka caktuar saktë, të themi ashtu, se cila është pasoja e moskonstituimit të Kuvendit. Nëse këta deputetë qëllimshëm dhe me vetëdije të plotë nuk e formojnë Kuvendin brenda këtij afati 30-ditor, unë besoj që e kanë gjetur njëfarë mekanizmi të interpretimit të zgjeruar të dispozitave kushtetuese”, deklaroi Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Një prej hartuesve të Kushtetutës, profesori Ismet Salihu, thotë se tashmë përgjegjësia është te partitë politike dhe u kërkon atyre të gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit.
“Tani përgjegjësia është komplet te partitë politike. Bëj thirrje për të gjitha partitë që t’i ulin gjakrat, t’i lënë inatet personale e partiake dhe të gjejnë zgjidhje në Parlament”, tha profesori Ismet Salihu, njëri prej hartuesve të Kushtetutës.
“Çdo bojkotim i Kuvendit, çdo individ ose grup partiak që për ta penguar zgjedhjen e Presidentit, do të jetë i dëmshëm edhe për atë subjekt, por edhe për vetë shtetin”, potencoi ai.
Me 12 ditë të mbetura deri në përfundimin e afatit, partitë politike përballen me nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda Kuvendit. Në të kundërtën, vendi do të rikthehej në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të ishin të katërtat brenda dy viteve

