Është një pyetje që është ngritur vazhdimisht që kur Manchester City u akuzua për 115 shkelje të pretenduara të rregullave financiare të Premierligës: a mund t’i hiqen titujt?
Në shkurt të vitit 2023, Premierliga e akuzoi Cityn për shkelje të rregullave të fair-play financiar në 115 raste gjatë një periudhe nëntëvjeçare, e cila nisi në vitin 2009 dhe përfundoi në vitin 2018.
Gjatë kësaj periudhe, Citizens e ngritën trofeun e kampionit në tri raste, ndërsa skuadra si Manchester United, Arsenal dhe Liverpool mbetën pa titull.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit gjatë viteve të fundit ka qenë ndikimi i mundshëm te klubet e tjera nëse City shpallet fajtor për akuzat me të cilat përballet.
Jose Mourinho, për shembull, i përmendi 115 akuzat para një ndeshjeje të Ligës së Evropës mes Fenerbahces dhe ish-klubit të tij, Manchester United, në tetor të vitit 2024.
“Siç e dini, ne përfunduam të dytët në Premierligë [në vitin 2018]”, tha Mourinho me një buzëqeshje.
“Besoj se ende kemi një shans për ta fituar atë kampionat, sepse ndoshta Manchester Cityn e dënojnë me zbritje pikësh dhe ndoshta ne e fitojmë atë kampionat, pastaj ata duhet të ma paguajnë bonusin dhe të ma japin medaljen.”
Pyetja mbetet: a është kjo në të vërtetë një mundësi? Nënklauzola W.51.7 e rregullores së Premierligës thotë se komisioni mund t’i “vendosë të akuzuarit çdo kombinim të sanksioneve të mësipërme ose një dënim tjetër që e konsideron të përshtatshëm”.
Kjo e lë të hapur mundësinë që Cityt potencialisht t’i hiqen titujt.
Sigurisht, Manchester Unitedi e përfundoi sezonin 2011-12 me pikë të barabarta me Cityn, por e humbi titullin për shkak të diferencës së golave pas atij momenti të Sergio Agueros.
Liverpooli e përfundoi sezonin 2013-14 si nënkampion, pasi humbi trofeun me vetëm dy pikë diferencë dhe, siç e përmendi Jose Mourinho, Unitedi përfundoi i dyti në sezonin 2017-18, 19 pikë prapa Cityt.
Eksperti i financave Kieran Maguire i tha Sky Sports në vitin 2024 se do të ishte “e vështirë” për klubet rivale të provonin se kishin humbur trofe për shkak të shkeljeve të pretenduara të Cityt.
“Nëse flisni me avokatët, ata do t’ju thonë se do të jetë e vështirë për një klub tjetër të thotë se e humbi një titull, ose ndoshta edhe më e rëndësishmja, se humbi pjesëmarrjen në Champions dhe përfitimet që ajo sjell”, tha Maguire.
Vitin e kaluar, gazetari i “Sky”, Rob Harris, foli me ekspertë në “Business of Football Summit” për të diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me rastin e Cityt, përfshirë edhe pyetjen nëse titujt e Premierligës mund t’i hiqen klubit.
Ai foli me Matt Hughes, gazetar sportiv në “FootBiz”, si dhe me avokatin sportiv Simon Leaf dhe gazetarin e “The Sun”, Martin Lipton.
Kur u pyet nëse Cityt mund t’i hiqeshin titujt, Hughes tha: “Duket se nuk ka vullnet për të marrë një dënim retrospektiv.”
Ndërkohë, Leaf tha se ishte ende “shumë herët” për të dhënë vendimin e tij përfundimtar për këtë çështje, duke shtuar: “Dyshoj se do të ketë klube të caktuara që po e shikojnë këtë dhe thonë, në fakt, ne do të kishim pasur të drejtë për pagesa për kualifikimin në Champions… ose edhe bonuse nga sponsorët për përfundimin në një pozicion tjetër.”
Lipton beson se heqja e titujve thjesht “nuk do të ndodhë” me Cityn.
“Nëse do t’i hiqje titujt, momenti i vetëm më ikonë në historinë e Premierligës – goli i Sergio Agueros në minutën e 94-t ndaj QPR-së për ta fituar kampionatin – nuk do të kishte ndodhur”, tha ai. “Nuk mund ta rishkruash historinë deri në atë masë.”
Nëse City shpallet fajtor për ndonjë prej akuzave, dënimet e mundshme përfshijnë gjoba, zbritje pikësh apo edhe, në skenarin më të rëndë, rënie nga Premier League.
Siç u përmend në një raport të “The Athletic” të premten, City raportohet se është shpallur fajtor për 114 akuza që lidhen me shkelje financiare.
Deri më tani nuk është vendosur asnjë sanksion dhe pritet që City të apelojë vendimin e komisionit të pavarur

