Ronaldinho i ka bërë një homazh emocionues Lionel Messit pas ndeshjes së fundit të yllit argjentinas me Kombëtaren.
Braziliani, i cili e shoqëroi Messin në hapat e parë të karrierës së tij te Barcelona, e ka kujtuar me shumë emocion lidhjen e tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm të 39-vjeçarit në futboll.
“Çfarë kënaqësie dhe çfarë gëzimi të kem qenë pjesë e historisë tënde që nga dita e parë, vëlla. Na bëre të buzëqeshim dhe ta duam kaq shumë futbollin!”, shkroi Ronaldinho në rrjetet sociale.
“Emri yt është gdhendur në historinë e vendit tënd, të gjithë botës. Vetëm ne e dimë gëzimin që e kemi ndier kur e realizuam ëndrrën e fëmijërisë, duke i përfaqësuar kombet tona dhe duke u bërë kampionë bote!”, shtoi legjenda braziliane.
Ronaldinho më pas iu referua edhe vendimit të Messit për t’i dhënë fund aventurës me Argjentinën.
“Ti i ke dhënë gjithçka kombëtares dhe vendit tënd. Të kuptoj plotësisht dhe e di se gjithçka që lidhet me familjen na bën të reflektojmë për gjërat e rëndësishme të jetës”, shkroi ai.
Në fund, Ronaldinho i dha një mesazh të veçantë ish-bashkëlojtarit të tij te Barcelona: “Shijoje jetën, vëlla. Të uroj gjithë të mirat, sot dhe gjithmonë.”

