Ashtu siç edhe pritej, momenti para votimit të Ligjit të Hartës së re Territoriale të vendit, u shoqërua me tensione të opozitës kundrejt protagonistëve të mazhorancës.
Në shënjestër ishin kryeministri Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, që munguan gjatë diskutimeve dhe mbërritën në momentin kur duhej hedhur vullneti me votë.
Pak sekonda para votimit të reformës së re administrativo-territoriale, në sallën e Kuvendit u shfaq ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një moment kur tensionet mes mazhorancës dhe opozitës kishin arritur kulmin.
Prania e saj u shoqërua me përplasje në sallë, ku deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi ujë në drejtim të Ballukut. Ndërkohë, deputetë të tjerë të opozitës qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa në seancë u hodhën edhe vezë.
Incidentet ndodhën në minutat e fundit të një seance maratonë, që zgjati rreth 14 orë dhe u shoqërua me debate të ashpra.
Opozita kundërshtoi projektligjin, duke kërkuar tërheqjen e tij dhe duke akuzuar mazhorancën se ndryshimet në ndarjen administrativo-territoriale ishin hartuar pa konsultim me qytetarët. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi që çështja t’i nënshtrohej referendumit.
Pavarësisht tensioneve dhe incidenteve në sallë, Kuvendi e miratoi reformën pak pas mesnate me 85 vota pro, duke i hapur rrugën organizimit të ri territorial të vendit me 46 bashki.
Pamje:

