Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar përmes rrjetit publik Wi-Fi falas WiFi4WB në Kosovë, ndërsa projekti ka përfunduar shtrirjen në 33 komuna, në gjithsej 43 lokacione.
Këto të dhëna u bënë të ditura në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Prishtinës për shënimin e përfundimit të shtrirjes së projektit në vend, ku u bë edhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Prishtinës dhe GIZ-it.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se rezultatet e projektit dëshmojnë përdorimin e rrjetit nga qytetarët, duke theksuar se vetëm në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar mbi 14 mijë lidhje brenda rreth gjashtë javësh.
“Jemi duke shënuar përfundimin e shtrirjes së këtij rrjeti në 33 komuna të Kosovës, në gjithsej 43 lokacione. Nga sheshi i Podujevës deri te Biblioteka Kombëtare këtu në Prishtinë, kemi përmbyllur një projekt që tashmë po u shërben qytetarëve në mbarë vendin. Dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se rezultatet nuk maten vetëm me numrin e pikave të instaluara, por edhe me përdorimin real të tyre. Mbi 1.1 milion lidhje në internet tashmë janë regjistruar përmes rrjetit Wi-Fi për Western Balkans në Kosovë, vetëm këtu në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar mbi 14.000 lidhje brenda një periudhe prej rreth 6 javësh”, tha ai.
Jagxhiu theksoi se ofrimi i internetit falas në hapësirat publike ndihmon në krijimin e mundësive më të barabarta për qytetarët, veçanërisht për studentët, bizneset e vogla dhe personat që përdorin shërbimet elektronike.
“Kjo ofron Wi-Fi falas drejtpërdrejt në hapësirat ku qytetarët mësojnë, punojnë, komunikojnë dhe kalojnë kohën e lirë. Por rëndësia e këtij projekti shkon përtej infrastrukturës dhe lidhjes me internet; transformimi digjital krijon mundësi të jashtëzakonshme, por njëkohësisht sjell edhe rrezikun që një pjesë e qytetarëve të mbeten jashtë këtyre zhvillimeve, për shkak të mungesës së qasjes, pajisjeve apo aftësive digjitale. Prandaj, gjithëpërfshirja digjitale është një nga parimet themelore të transformimit tonë digjital. Interneti falas në hapësirat publike krijon mundësi për studentët të mësojnë, qytetarët të përdorin shërbime elektronike, bizneset e vogla të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe vizitorët të kenë qasje më të lehtë në informacion. Në këtë kuptim, Wi-Fi për Western Balkans nuk është vetëm një projekt i lidhshmërisë digjitale; është një investim në mundësi më të barabarta për qytetarët tanë”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se numri i lidhjeve të regjistruara dëshmon se qytetarët kanë nevojë për qasje falas në internet në hapësirat publike.
“Sot, nga Prishtina, shënojmë përfundimin e shtrirjes së projektit WiFi4WB në të gjithë Kosovën, duke mundësuar internet falas në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Në pikat WiFi4WB në Kosovë janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Vetëm këtu, në Bibliotekën Kombëtare, janë regjistruar më shumë se 14 mijë hyrje brenda vetëm pak javësh. Këto shifra dëshmojnë nevojën. Ato tregojnë se sa shumë shfrytëzohet një mundësi kur ajo u vihet në dispozicion qytetarëve”, tha Rama.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda e cilësoi projektin si rezultat konkret të bashkëpunimit për zgjerimin e qasjes në internet dhe vlerësoi se numri i lidhjeve tregon rëndësinë praktike të kësaj nisme për qytetarët.
“Ky është një rezultat konkret, të cilin qytetarët mund ta përjetojnë drejtpërdrejt, duke pasur mundësi të lidhen falas me internetin në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Deri më tani, në këto pika të qasjes në internet në të gjithë Kosovën janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Ky është një numër mbresëlënës, që dëshmon si kërkesën e madhe, ashtu edhe vlerën praktike të kësaj nisme. Kjo na kujton gjithashtu se transformimi digjital i Evropës nuk është diçka abstrakte”, tha ai.
Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Daniel Alker, tha se projekti është rezultat i mbështetjes evropiane dhe gjermane, në bashkëpunim me partnerët lokalë. Ai theksoi se krahas instalimit të infrastrukturës, rëndësi të veçantë ka mirëmbajtja e saj dhe sigurimi i funksionimit në afat të gjatë.
“Ky projekt është një shembull i mirë i asaj që mund të arrihet kur mbështetja evropiane dhe gjermane kombinohet me partneritet të fortë lokal në Kosovë. Kur flasim për Wi-Fi publik, ajo që shihet është shumë e thjeshtë: një pikë qasjeje dhe një lidhje interneti. Por, pas këtij rezultati të thjeshtë, qëndron një proces dukshëm më kompleks. Megjithatë, instalimi i infrastrukturës është vetëm një pjesë e procesit. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që ajo të vazhdojë t’u shërbejë komuniteteve në afat të gjatë dhe që, së bashku, të arrijmë të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve. Mendoj se kjo është një pikë të cilën dëshiroj ta theksoj veçanërisht: qëndrueshmëria. Siç kemi dëgjuar, Bashkimi Evropian ka siguruar financimin fillestar për 18 muaj të projektit, por, natyrisht, ne dëshirojmë që kjo infrastrukturë të vazhdojë të shfrytëzohet dhe të mirëmbahet”, tha ai.
WiFi4WB (Wi-Fi for Western Balkans) është një nismë rajonale që synon të ofrojë internet publik falas dhe me shpejtësi të lartë në hapësirat publike të komunave në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndërsa zbatohet nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në partneritet me institucionet lokale. Ai është pjesë e programit më të gjerë EU4Digital dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

