Osmani takon senatorët amerikanë, kërkon mbështetje për mbrojtje të së vërtetës së luftës çlirimtare

by Nexhat

Ish-presidentja Vjosa Osmani është takuar me senatorët Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, gjatë vizitës së tyre në Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Osmani e cila theksoi se senatorja Shaheen ka dëshmuar se është një mbështetëse e palëkundur e Kosovës.

banner

Mes tjerash, ajo kërkoi mbështetjen e senatorëve për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe për nisjen e dialogut strategjik me ShBA-të.

“I falënderova senatorët për një sërë nismash që kanë mbështetur dhe shtyrë përpara në Senatin amerikan, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Kërkova mbështetjen e tyre për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe për nisjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, proces të cilin e patëm iniciuar zyrtarisht gjatë mandatit tim presidencial”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook.

Osmani po ashtu tha se ka kërkuar mbështetje në mbrojtje të së vërtetës për luftën çlirimtare të Kosovës.

“Njëkohësisht, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të përhapur propagandë dhe për të rishkruar historinë, kërkova mbështetjen e tyre në mbrojtje të së vërtetës për luftën çlirimtare të Kosovës. Nuk duhet të lejojmë kurrë që viktima, populli i Kosovës, dhe agresori, regjimi serb, të barazohen apo të vendosen në të njëjtin rrafsh moral. E vërteta historike nuk mund të relativizohet dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi shtrembërimin e saj”.

“Po ashtu, i kundërshtova me argumente historike, juridike dhe politike pretendimet e rreme të propagandës serbe se në Kosovë ushtrohet represion ndaj të krishterëve. Kjo narrativë e rrezikshme, që po promovohet me këmbëngulje nga qarqe në Serbi, duhet të përballet pa ndërprerje me fakte, të vërteta dhe argumente nga çdo institucion i Republikës së Kosovës. Liria fetare, bashkëjetesa dhe respektimi i të drejtave të të gjithëve janë vlera të Kosovës që nuk mund të njollosen nga propaganda”, ka shkruar Osmani.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy