Të akuzuarit Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kanë pranuar fajësinë, ndërsa Trim Musliu, Kreshnik Musliu, Armend Osaj dhe Fatbardh Abazaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale në Telekomin e Kosovës.
Deklarimi i tyre u bë në shqyrtimin fillestar të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, mbrojtësja e Cemanit, avokatja Merita Bajraktari, kërkoi nga gjykata që ta aprovojë pranimin e fajësisë, duke thënë se i mbrojturi i saj ishte konsultuar paraprakisht dhe i kuptonte përfitimet dhe pasojat e pranimit të fajësisë.
Njëjtë deklaroi edhe mbrojtësja e Hysenit, avokatja Arbenita Aliu.
Prokurori special, Rafet Halimi, u pajtua me pranimin e fajësisë dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë atë, ndërsa shpallja e dënimit të bëhet pasi të përfundojë procedura edhe për të akuzuarit e tjerë, meqë Hyseni dhe Ceman janë edhe dëshmitarë bashkëpunues.
Gjyqtarja Namani-Hajra e aprovoi pranimin e fajësisë, duke thënë se ai ishte bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësit. Ajo shtoi se shpallja e vendimit ndaj tyre pezullohet deri në përfundimin e procedurës për të akuzuarit e tjerë.
Ndërkaq, të akuzuarve që nuk e pranuan fajësinë iu dha afati prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 nëntor 2024, Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kishin pranuar fajësinë, por, pas ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues, shqyrtimi fillestar filloi nga e para.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për Trim Musliun dhe të tjerët?
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuar në këtë rast janë Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu, nga 21 janari 2019 deri më 24 prill 2019, në cilësinë e drejtorit të marketingut në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, përvetësoi pasurinë e kësaj ndërmarrjeje. Konkretisht, sipas aktakuzës, ai lidhi kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona mobilë, prej të cilëve 153 i përvetësoi për vete. Në një furnizim të dytë prej 16 telefonash mobilë, ai dyshohet se përvetësoi edhe 11 të tjerë, duke arritur në gjithsej 164.847 euro e 83 centë vlerë të telefonave të përvetësuar.
Për këto veprime, Musliu akuzohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Armend Osaj, nga 3 deri më 30 shtator 2019, në cilësinë e drejtorit të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, përvetësoi pasurinë e ndërmarrjes. Sipas aktakuzës, ai lidhi kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me telefona mobilë, USB dhe modemë, në vlerë prej 207.733 euro e 10 centë. Nga gjithsej 305 telefona të pranuar, ai dyshohet se përvetësoi 48, në vlerë prej 32.692 euro e 32 centë.
Për këto veprime, Osaj akuzohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës ngarkohen Trim Musliu, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman. Sipas aktakuzës, nga 1 nëntori deri më 31 dhjetor 2020, në bashkëkryerje, ata përpiluan dokumente të falsifikuara me qëllim që t’i përdornin si origjinale.
Aty thuhet se Trim Musliu, pasi kishte kuptuar se po hetohej, i kërkoi vëllait të tij, Kreshnikut, të përpilonte dokumente të falsifikuara. Sipas Prokurorisë, Kreshniku dhe Denisi shkuan në Pejë dhe Istog, ku u paraqitën me logon e “Valës” te biznese të ndryshme dhe i ftuan të aplikonin për përfitimin e telefonave mobilë. Më pas, dyshohet se ata i vulosën ofertat me vulat e bizneseve dhe ia dorëzuan ato Trim Musliut.
Sipas aktakuzës, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe me persona të tjerë, por asnjëri prej qytetarëve nuk pranoi telefona mobilë. Dokumentet e vulosura me vulat e bizneseve, Musliu dyshohet se i dorëzoi në Telekomin e Kosovës dhe në Policinë e Kosovës, me qëllim që t’i shmangej përgjegjësisë penale.
Për këto veprime, Trim dhe Kreshnik Musliu, si dhe Denis Ceman, akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Armend Osaj akuzohet se, nga 1 nëntori deri më 31 dhjetor 2020, kishte përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim që t’i përdorte si origjinale. Sipas aktakuzës, pasi kishte kuptuar se po hetohej për përvetësimin e 48 telefonave mobilë, ai dyshohet se kishte përpiluar dokumente sipas të cilave telefonat ishin pranuar nga individë, me qëllim që t’i shmangej përgjegjësisë penale.
Për këto veprime, Osaj akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e pestë të aktakuzës ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi, të cilët, sipas Prokurorisë, nga 21 janari deri më 6 mars 2019, në cilësinë e pronarëve të “Zone Mobile”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, paraqitën fakte të rreme dhe shkelën me vetëdije kushtet e kontratës.
Sipas aktakuzës, ata furnizuan Telekomin e Kosovës me mallra që nuk përputheshin me specifikat e kontratës dhe dorëzuan telefona pa dëshmi për prejardhjen e tyre. Prokuroria pretendon se “Zone Mobile” nuk kishte bërë blerje vendore dhe nuk kishte importe nga shtetet e tjera, ndërsa Telekomi ishte mashtruar se furnizimi me mallra, në vlerë prej 229.715 euro e 50 centë, ishte kryer.
Për këto veprime, Limani dhe Ajvazi akuzohen për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 335, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e gjashtë të aktakuzës, Limani dhe Ajvazi ngarkohen se, nga 2 deri më 18 shtator 2019, në cilësinë e pronarit dhe menaxherit të “Zone Mobile”, me rastin e lidhjes së kontratës për furnizim me telefona mobilë, USB dhe modemë, shkelën me vetëdije rregullat e prokurimit publik, duke furnizuar mallra që nuk përputheshin me specifikat e kontratës së lidhur me Telekomin e Kosovës.
Për këto veprime, ata akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e shtatë, Limani dhe Ajvazi akuzohen se, gjatë prillit 2021, paraqitën fakte të rreme për të mashtruar Telekomin e Kosovës lidhur me kontratën për furnizimin me telefona mobilë, USB dhe modemë. Sipas aktakuzës, pasi kishin kuptuar se po hetoheshin, ata, në marrëveshje me Gazmend Hysenin, përpiluan dokumente të falsifikuara. Hyseni dyshohet se lëshoi fatura të rreme, të cilat Limani dhe Ajvazi ia dorëzuan Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 68.219 euro e 86 centë.
Për këto veprime, Limani dhe Ajvazi akuzohen për veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në fund, dispozitivi i tetë i aktakuzës ngarkon Gazmend Hysenin se, gjatë prillit 2021, në cilësinë e pronarit të bizneseve “Versacoop” dhe “Kopex”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, lëshoi dokumente të rreme për “Zone Mobile”, duke mashtruar Telekomin e Kosovës lidhur me kontratën për furnizimin me telefona mobilë, USB dhe modemë. Sipas aktakuzës, faturat e tilla Limani dhe Ajvazi ia dorëzuan ATK-së.
Për këto veprime, Hyseni akuzohet për veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308, paragrafët 2 dhe 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

