Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar hulumtimin parlamentar “Reforma e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë”.Njëri prej tri projektligjeve që trajtohen në këtë hulumtim është Projektligji nr. 11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë.
Për këtë projektligj, IKD propozon një amendament që ka të bëjë me përbërjen e Këshillit Drejtues, duke propozuar që Ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i tij.
Sipas raportit, pjesëmarrja e Ministrit në Këshillin Drejtues mundëson përfshirjen e pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjen e një institucioni që projektligji e përcakton si të pavarur.
IKD-ja vë në pah se Këshilli Drejtues merr vendime edhe për ankesat lidhur me vlerësimin e trajnimit fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili mund të ndikojë në vazhdimin e karrierës së tyre.
Ky propozim mbështetet edhe në rekomandimin e Komisionit të Venecias për largimin e Ministrit të Drejtësisë nga ky organ.
IKD-ja propozon që Këshilli Drejtues të përbëhet nga përfaqësues të Gjykatës Supreme, Prokurorit të Shtetit, KGjK-së dhe KPK-së, pa përfaqësues të pushtetit ekzekutiv.

