Gjykata e Apelit ka dëgjuar ankesat përmes avokatëve të të dënuarve në shkallë të parë të Arlind Manxhukës – tash zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt.
Të katërtit ishin dënuar nga Themelorja në lidhje me akuzën se kishin nxitur urrejtje ndaj gjyqtarit, Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit, Afrim Shefkiu që ishin të angazhuar në rastin ndaj Dejan Pantiqit. Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës paraprake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprime për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut ishte Dejan Pantiq.
Në gjykatën e Apelit më 21.10.2026 ankesat ndaj aktgjykimit dënues të themelores, i kanë paraqitur të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.
Taulant Hodaj që përfaqëson Manxhukën, e ka kundërshtuar aktgjykimin e Themelores duke kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet pasi shprehjet që i ka përdorur klienti i tij nuk përbëjnë vepër penale.
“Janë dy fjalë që i ka bo në kontest të asaj kohe, a hin në kuadër të lirisë së shprehjes? Gjykata e shkallës së parë se ka bo këtë dallim, besoj që kjo gjykatë duhet me bo këtë dallim”- tha Hodaj.
Sipas avokatit të Manxhukës, klienti i tij ka shprehur mllef me gjuhë ngacmuese. Sipas Hodajt Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut raste të ngjashme i ka konsideruar si kritikë ndaj vendimeve të Gjykatës në kuadër të lirisë së shprehjes.
Hodaj i ka kërkuar kolegjit të Gjykatës të Apelit që të vlerësohet gjuha thumbuese dhe të bëhet dallimi mes përgjegjësisë penale.
“Nëse vazhdohet me këtë standard, kritika pa kërkuar dhunë e pa nxitje, nëse vazhdon atëherë çka mund të thojmë ndaj një vendimi për dhomat e specializuara, 70% e popullsisë së Kosovës duhet me u gjyku”- tha Hodaj.
Manxhuka i cili personalisht ishte i pranishëm para kolegjit të Apelit tha se: “Në kontestin e reagimit, e dim që në vitin 2022 ka pas një lloj rezistence të jashtëzakonshme për kundër shtrirjes së rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit, madje e kem pa që pikërisht reagimi që e kemi bo ka qenë ish pjesëtar i policisë së Kosovës dhe në kohën kur u patën shpall zgjedhjet lokale në veri ka qenë i dyshuar për hedhje me bombë dhe i dënum, dhe në rrethana të lehtësimit të dënimit ndodhi edhe reagimi, reagimi nuk ka përmend asnjë lloj emri se nuk i është adresuar kurrkujt individualisht ka qenë një indinjatë e shprehur asaj kohe si qëndrim i lirë i një qytetari të një vendi.”- tha Manxhuka para gjykatës së shkallës së dytë.
Kurse për të akuzuarin, Egzon Azemi i cili nuk ishte prezent në gjykatë, avokatja e tij Teutë Xhema ka kërkuar nga Apelit që të lirohet në mungesë të provave klienti i saj. Sipas Xhemës ndonëse rasti kishte qenë i kthyer në rigjykim një herë, Themelorja nuk i kishte zbatuar rekomandimet e shkallës së dytë në aktgjykimin e fundit.
“Postimi i klientit tim është citim i një patrioti dhe nuk ka lidhje as me objektin e akuzës as palët e dëmtuara.”- tha Xhema
Avokati Muharrem Kurtaj që mbron të akuzuarin Qerim Elshani – i cili nuk ishte prezent në sallë të gjykatës, ka thënë se kur apeli e kishte prishur vendimin e parë të gjykatës për këtë rast, i kishte dhënë rekomandime që të konstatoj se kujt i është drejtuar kanosja por përsëri Themelorja nuk ka arritur të bëjë këtë konstatim.
Sipas Kurtajt, klienti i tij kishte komentuar në një postim të një thënieje të Avni Rrustemit por që nuk ju kishte adresuar asnjë personi dhe asnjë pozite.
Albatrit Bytyqi avokat i Edi Zenelaj ka thën se Themelorja në aktgjykimin e sja ka një mori shkeljesh.
Kurse vetë i akuzuari, Edi Zenelaj i është bashkangjitur ankesës që ka parashtruar avokati i tij, kundër vendimit dënues të themelores.
Sipas Gjyqtarit që e elaboron çështjen ka thënë se Prokuroria ka kërkuar që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet. /Kallxo

