Harry Kane ishte një nga protagonistët kryesorë të barazimit 2-2 mes Bayern Munichut dhe Arsenalit, duke realizuar një gol, dhënë një asist dhe regjistruar një veprim të pazakontë që hyri në histori të Ligës së Kampionëve.
Në minutën e 21-të, pas një këndoreje të Arsenalit, sulmuesi anglez mori topin pranë portës së tij dhe ekzekutoi një rivënie nga porta, duke dërguar një pasim të gjatë drejt Alphonso Daviesit.
Ky veprim i papritur për një sulmues qendre pothuajse përfundoi me gol, por David Raya e ndali goditjen e Serge Gnabryt.
Rekord i pazakontë për sulmuesin anglez
Kane nuk u mjaftua me këtë veprim. Ai asistoi për golin e Daviesit dhe më pas fitoi penalltinë që e shndërroi vetë në gol, duke kaluar Bayernin në epërsi 2-1.
Sipas të dhënave të Optas, Kane u bë futbollisti i parë në historinë e Champions League, që nga sezoni 2003/04, i cili në të njëjtën ndeshje shënon gol, regjistron asist dhe ekzekuton një rivënie nga porta.
I pyetur pas ndeshjes për pasimin e tij të jashtëzakonshëm, anglezi u përgjigj me humor: “Për rivënien nga porta apo për asistimin?”
Henry dhe Gerrard e lavdërojnë
Paraqitja e Kane mori vlerësime të shumta. Legjenda franceze Thierry Henry u shpreh i mahnitur: “Nuk e kam parë kurrë një sulmues qendre të ekzekutojë një rivënie nga porta.”
Ndërsa Steven Gerrard shkoi edhe më larg, duke deklaruar: “Ai mund të jetë futbollisti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Anglia.”
Edhe Declan Rice, mesfushori i Arsenalit që shënoi golin e barazimit 2-2, e vlerësoi lart paraqitjen e sulmuesit të Bayernit.
“Është koha e tij. Ai po bëhet gjithnjë e më i mirë me kalimin e moshës dhe sot ishte i jashtëzakonshëm”, deklaroi Rice.

